Roben, dëmtimi zgjat dy muaj
09/02/2005 Arjen Roben nuk do të jetë i gatshëm për t’u aktivizuar në radhët e Çelsit të paktën deri në fundin e muajit mars. Pas ekzaminimeve të fundit nga stafi mjekësor doli në pah se anësori holandez ka thyer dy kocka në këmbën e dëmtuar gjatë takimit me Blekburnin. Lojtari 21 vjeçar ka vuajtur prej të njëjtit dëmtim edhe në fazën parasezonale, duke humbur kështu dy muajtë e parë të sezonit aktual me fanelën e Çelsit. Ndonëse rikthimi i tij në fushat e blerta ishte shpërthyes dhe mjaft vendimtar me skuadrën e Murinjos, ai tashmë do të përballet me një mungesë tjetër më të gjatë. Kjo do të thotë se ai nuk do të jetë në dispozicion të bluve për takimin final kundër Liverpulit në Kupën Karling. Po ashtu ai nuk do të jetë i gatshëm edhe për takimin çerekfinal në Ligën e Kampioneve kundër Barcelonës. I pari që e ka dhënë lajmin zyrtar për gjendjen e dëmtimit të holandezit ka qenë fizioterapisti i klubit londinez Majk Benks. “Njëra prej kockave gjendet në pjesën e prapme të këmbës, ndërsa tjetra më e vogël në përmasa ndodhet mbi gungën kockore”-ka thënë Benks. Nisur nga gjendja e tij shëndetësore mendohet se Roben nuk mund të jetë i pranishëm edhe në takimin e kthimit me Barcelonën, i cili do të zhvillohet në fillim të muajit mars. “Nuk mendoj se ky do të jetë dëmtimi kockor tradicional, i cili ka qenë mjaft i pranishëm qysh në Botërorin e kaluar, ka shtuar doktori Benks. Një dëmtim i tillë ka mbajtur Skot Parker gati dy muaj jashtë fushave të blerta. Për sa i përket rastit të Roben duhet theksuar se frakturat janë më të vogla dhe ndoshta ai mund të jetë plotësisht në gjendje për t’u aktivizuar në muajin pasardhës”.