E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Pse kundërshtojmë çmimin e legalizimit

09/02/2005  Balancimi i efekteve që sjell legalizimi, sipas propozimit të PS-së dhe fatura që do të kompensohen ish-pronarët pritet të jetë ngerçi i radhës për Kuvendin shqiptar

"Të gjejmë një të mesme të artë, që të jetë e pranushme nga të dyja palët"

Ligji për legalizimin e zonave informale duket se do të fillojë të diskutohet sërish në parlament. Shkak për këtë është bërë deklarata e Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për çmimin e tokës në zonat informale dhe reagimi i dalë nga Partia Socialiste, e cila kundërshton çmimet e paraqitura nga komiteti. Metodika e hartuar nga KSHKKP nuk ka përcaktuar se kush do të paguhet si tokë bujqësore dhe kush do të paguajë për zonë informale. Kjo situatë ka sjellë dhe një debat në spektrin politik. Vetëm dy ditë më parë Grupi parlamentar i Oartisë Socialiste ka kundërshtuar çmimin e bërë publik nga KSHKKP-ja për zonat informale. Sipas socialistëve, çmimi i përcaktuar nuk është i përballueshëm nga banorët e këtyre zonave, duke kërkuar kështu ulje të këtij çmimi. Nga ana tjetër krijohet një disekuilibër me çmimin që do të kompensohen ish-pronarët e tokës. Sipas ligjit të kthimit dhe kompensmit të pronave, ish-pronarët do t'i kompensohet toka me çmimin e tregut. Çmimi i legalizimit të këtyre zonave pretendohet të jetë më i ulët se çmimi me të cilin ish-pronarët do të paguhen për këto zona. Sipas eksperëtev të kontaktuar nga "Metropol", në qoftë se realizohet kjo gjë, gjithë barra do të bjerë mbi buxhetin e shtetit dhe indirekt te taksapaguesit shqiptarë. Gjithashtu, ekspertët janë shprehur se deklaratat politike të kohëve të fundit kanë më tepër ngjyrime dhe interesa politike, duke patur parasysh se vendi është në prag zgjedhjesh.

Socialistët

Deputetet e Partisë Socialiste kanë mbështetur në deklaratat e tyre se çmimi i tokës në zonat informale duhet të jetë më i ulët, kjo për arsye se gjendja ekonomike e të ardhurve në këto troje nuk mund të përballojnë çmimet të tilla deri në 600 euro për metër katror. Ndërkohë që çmimin, me të cilin do të paguhen ish-pronarët për t'u kompensuar socialistët shprehen se do të jetë parlamenti, ai që do të përcaktojë çdo gjë. Sipas deputetit të PS-së, Bardhyl Agasi, "ne nuk mund të pretendojmë që duke dëmtuar njërën palë të kompensojmë palën tjetër. Por duhet të gjejmë një të mesme të artë, që të jetë e pranueshme nga të dyja palët". Ndërkohë që ish-pronarët do të kompensohen në bazë të çmimit të tregut, për atë pjesë që do të ketë kompensim në vlera monetare. Ndërsa pjesa më e madhe do të kompensohen në natyrë sipas ligjit. Gjetja e një gjuhe të përbashkët mes tre palëve shtetit pronarëve dhe të ardhurve në zonat informale do të jetë një trinom i radhës, që pritet të sjellë debate të ashpra sërish në Kuvendin shqiptar. Pas miratimit nga Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompesimit të Pronave të metodikës se si do të bëhet i zbatueshëm ligji tashmë pritet dhe ratifikimi nga parlamenti të kësaj metodike. Ndërkohë që parlamentarët duhet të gjejnë një zgjidhje të paanshme për të evituar dhe konfliktet sociale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›