Ruçi në Presidencë për datën e zgjedhjeve
09/02/2005 Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, do të presë sot kryetarin e Grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, për të diskutuar rreth datës së zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare. Sipas burimeve nga Presidenca mësohet se ky takim bëhet në kuadër të konsultimeve që kreu i shtetit ka ndërmarrë me krerët e Grupeve parlamentare që kanë të bëjnë me datën e zhvillimit të zgjedhjeve. Deri më tani, socialistët nuk kanë qenë shumë aktiv në debatet që kanë lindur për këtë çështje, ndërkohë që opozita ka kërkuar afrimin e datës së zgjedhjeve për në fillim të qershorit. Në bazë të Kushtetutës, zgjedhjet zhvillohen dy muaj përpara mbarimit të mandatit të parlamentit, pra më datë 3 korrik. Por, opozita e ka kundërshtuar zhvillimin e zgjedhjeve në këtë datë, pasi, sipas saj, zgjedhjet nuk mund të zhvillohen në muajt e verës, për shkak të mungesës së infrastrukturës. Vetëm pak ditë më parë, një takim me Presidentin për këtë çështje zhvilloi dhe kryetari i Grupit parlamentar të PD-së, Bamir Topi. Ndërkohë për afrimin e datës së zgjedhjeve në qershor janë shprehur një ditë dhe PDR-ja e Pollos, me anë të kreut të Grupit parlamentar reformator, Nard Ndoka.