E Diel, 1 Nëntor 2026

Lista e kandidatëve të PS-së, po bllokohet nga harta elektorale

09/02/2005  Lekë Çukaj thotë se do të kandidojë sërish në zonën e Malësisë së Madhe nëse e zgjedhin strukturat përkatëse të Partisë Socialiste

Lekë Çukaj ka theksuar, në një intervisët për "Metropol", se bllokimi i punës për ndarjen elektorale të vendit është bërë pengesë dhe për krijimin e komiteteve zonale elektorale të PS-së, duke bllokuar kështu dhe hartimin e listës për kandidatët për deputetë. Socialistët në këto zgjedhje, sipas Çukaj, do të synojnë vetëm fitore dhe kjo duke u bazuar në punën që po bëhet për hartimin e strategjive sektoriale dhe të detajuara. Gjithashtu, deputeti socialist ka dhënë dhe komentin e tij për strukturën më të re të krijuar në Partinë Demokratike. Sipas tij, Komiteti i Orientimit të Politikave ka sjellë një xhelozi në radhët e demokratëve, pasi duket se janë mënjanuar ata që kanë punuar gjatë këtyre viteve pranë PD-së.

Partia Socialiste ka miratuar programin e punës, ku për herë të parë, për përgatitjen për zgjedhjet e përgjithshme, do të krijohen struktura të tilla si komitetet zonale elektorale. Jemi në muajin shkurt, dhe ende nuk ka filluar puna për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë. Si është situata realisht në këto struktura?

Ky ka qenë një vendim i hershëm i Komitetit të Përgjithshëm Drejtues, dhe është në fazat e para të zbatimit, sipas vendimeve të nxjerra nga ky forum. Por, pengesë për këtë është bërë procesi i ndarjes zgjedhore të vendit. Pas miratimit të hartës elektorale të vendit do të fillojë dhe konstituimi i KZE-ve. Duke aplikuar më pas parimin "një anëtar, një votë" do të fillojë dhe përzgjedhja e kryetarëve të këtyre KZE-ve, të nënkryetarëve dhe sekretarëve. Pas kësaj do të fillojë gjithë procesi i zonave elektorale për të përzgjedhur kandidaturat për deputetë të Partisë Socialiste.

Çfarë do të sjellin këto zgjedhje për PS-në dhe ku ndryshon një kryetar KZE-ja nga kandidati për deputet, duke pasur parasysh se të dy zgjidhen nga parimi "një anëtar, një votë"?

Në përzgjedhjen e kryetarit të KZE-së do të presupozohet që të jetë një përzgjedhje për të krijuar shtab elektoral. Parametrat, për të qenë kandidat për deputet të Partisë Socialiste, janë të përcaktuara në librin e rregullave të PS-së dhe në statutin e saj. Ndërkohë që nga ana jonë do të synohet të realizohet fitorja dhe në këtë kuptim PS-ja do të përzgjedhë kandidatët e mundshëm për t'u paraqitur sa më mirë në zonë dhe për t'u paraqitur pastaj në organet e larta drejtuese.

Në politikën shqiptare është ndezur një debat i ashpër për hartën elektorale të vendit. Përshtypje në këtë debat të bëjnë qëndrimet kontradiktore mes PS-së dhe PBDNJ-së a do të sjellë kjo një lëvizje të koalicionit për integrim?

Më duket se drejtuesit e Partisë Bashkimi i të Drejtave të Njeriut nuk kanë pasur shumë parasysh në kërkesat e tyre ligjin, Kushtetutën dhe ata nuk mund të krijojnë enklava në zonat e minoritetit, siç mendojnë ata. Kjo gjë ka konfonduar dhe marrëdhëniet mes PBDNJ-së dhe minoriteteve. Kjo strategji e ndjekur nga kreu i PBDNJ-së, për mua, është e gabuar si ligjërisht ashtu dhe një gabim i taktikës së përdorur. PBDNJ-ja është pak më e ngushtë se gjithë përfaqësimi i minoritetit grek në Shqipëri këtë minoritet e përfaqëson organizata "Omonia". Ndërkohë që po punohet për të gjetur një zgjidhje ligjore dhe të gjitha palët të pranojnë zbatimin e ligjit. Ndërkohë që PBDNJ-ja ka rënë në një grackë të kurdisur nga Partia Demokratike, e cila po mbështet variantet e propozuara nga kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule. PD-ja po bën rrëmujë në gjithë procesin e ndarjes elektorale.

Është thënë se 13 komisionet e përhershme të KPD-së socialiste do të paraqesin një strategji, e cila do të jetë e njëjtë me Strategjinë për Zhvillimin Kombëtar, hartuar nga qeveria. Cilat do të jenë prioritetet në këtë strategji?

Partia Socialiste do të synojë një mandat të tretë për të realizuar programin e saj politik dhe qeverisës. Të gjitha çështjet e strategjisë, që do të diskutohen nëpër komisionet e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues do të përcaktojnë strategjitë sektoriale për të realizuar kështu fitoren në zgjedhjet e përgjithshme të kësaj vere. Gjithashtu do të përcaktohen modalitetet dhe taktikat në vijimësi të punës së përditshme të PS-së. Strategjia do të ketë primare të gjitha fushat e jetës politike, sociale, ekonomike, shoqërore etj. Kjo është një punë e detyrueshme për t'u realizuar, për të përmbushuar këtu angazhimin tonë dhe në fushatën elektorale.

Partia Demokratike ka krijuar Komitetin e Orientimit të Politikave duke marrë në përbërje të tij figura nga fusha të ndryshme. Si e shikoni ju këtë nismë të PD-së?

Koha në të cilën u realizua dalja publike e këtij organizimi, të cilën ata e quajnë KOP, më duket nga pikëpamja praktike aspak e volitshme. Nga pikëpamja politike, hiç e pëlqyeshme. Dhe nga pikëpamja emotive që krijon brenda strukturave të PD-së, më duket se ka sjellë konfliktualitet. Duke gjykuar nga pozitat e mia, po të ndodhi diçka e tillë brenda formacionit tim do ta shikoja pak si me dyshim dhe xhelozi. Në një marrëdhënie të caktuar afër garës për të realizuar një fushatë elektorale politike ku merr njerëz nga jashtë, duke i afruar për të marrë në doret frenat e partisë. Në çdo parti ka njerëzit e vet dhe çdo parti ka individët e saj të fushave të ndryshme, programi, qëndrimi, taktikat dhe strategjitë që ka partia bën që njerëzit të jenë gjithmonë pranë saj. Një forcë politike del në fushatë pikërisht me njerëzit e vet dhe ata që janë pranë saj. Do të jenë ata që do të zbatojnë programet, do të qeverisin e kështu me radhë. Kuptohet që njerëzit besojnë pikërisht te njerëzit dhe partinë te stilet e saj. Krijimi i kësaj strukture më duket një levizje jo e pëlqyeshme brenda formacionit të tyre. Me këtë taktikë, më duket se nuk ka fituar ndonjë pikë PD-ja, por thjesht ka sjellë xhelozi brenda strukturave të saj. Është një neglizhencë e PD-së që, kur vjen koha për t'u ulur në sofër, afrohet kjo strukturë e re, e cila ka dëmtuar akoma më shumë këtë parti.

Ndërkohë që KOP-i brenda një kohe të shkurtër ka hartuar një sërë projektesh dhe strategjish, ku bie në sy deklarata se qeveria e ardhshme e PD-së do të ketë vetëm 13 ministri. Si i vlerësoni ju këto deklarata?

Realisht, për mendimin tim, portofolet ministrore duhet të ishin më të reduktuara. Ndërkohë që për të hartuar projekte dhe programe nuk është vështirë në kuptimin që mund të merren njerëz dhe mund të merren programe. Forcat politike nuk vlerësohen shumë nga programet që hartojnë me përjashtim të atyre gjërave themelore që bëhen ose të paktën ajo që duket dhe preket nga njerëzit.

Dhe së fundi, a do të kandidoni sërish në zgjedhjet e përgjithshme. Nëse po, në çfarë zone?

Unë kam kandiduar disa herë në një nga zonat më të vështira për t'u fituar nga Partia Socialiste. Zona ime në Malësi të Madhe është një nga enklavet e fituara nga socialistët dhe natyrisht unë kam kontributin tim në këtë fitore. Ndërkohë që, duke iu referuar situatës aktuale, është rritur akoma më shumë përqindja socialiste. Kështu që, logjikisht jam mirë moralisht, mirë mendërisht, mirë dhe politiksht mirë, nuk ka asnjë arsye që unë të mos rikthehem për një kandidim tjetër. Prap kjo është në varësi të formacionit politik të njerëzve që janë atje, nëse do të më propozojnë dhe do të më pranojnë dhe njëkohësisht do të vendosin forumet e larta të partisë për aprovim të kandidaturës sime.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›