E Diel, 1 Nëntor 2026

Krimi i organizuar, u kapën 300 grupe

11/04/2009  Nishani takim me EULEX

TIRANE- Ministri i Brendshëm Bujar Nishani priti në një takim kreun e misionit EULEX në Kosovë Yves De Kermabon. Nishani paraqiti në takim një përmbledhje të arritjeve të Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme duke evidentuar në veçanti se në vitet e fundit janë goditur afro 300 grupe të krimit të organizuar dhe mbi 900 anëtarë të këtyre grupeve janë vënë para drejtësisë. Po kështu, Nishani evidentoi edhe bashkëpunimin e shkëlqyer me agjencitë ndërkombëtare të zbatimit të ligjit, falë të cilit janë ekstraduar për t’iu dorëzuar drejtësisë shqiptare rreth 250 persona të kërkuar për krime të ndryshme. Ministri i Brendshëm informoi shefin e EULEX-it edhe për thellimin e bashkëpunimit ndërkufitar me vendet fqinje, bazuar në marrëveshjet përkatëse që parashikojnë ndër të tjera edhe patrullime dhe operacione të përbashkëta. Gjithashtu ai tha se marrëveshja për bashkëpunim kundër krimit të organizuar me Kosovën, ka dhënë frytet e veta me realizimin e disa operacioneve të rëndësishme të përbashkëta, kryesisht kundër trafikut të armëve. Ndërkohë që kreu i Misionit EULEX, Yves De Kermabon, vlerësoi arritjet e Shqipërisë në luftën kundër kriminalitetit dhe trafiqeve të paligjshme, si dhe shprehu nevojën e thellimit të bashkëpunimit mes agjencive të zbatimit të ligjit të Shqipërisë e Kosovës. Kermabon paraqiti disa nga fushat kryesore ku është fokusuar ky mision në Kosovë, ndër të tjera monitorimi i veprimtarisë së strukturave shtetërore dhe atyre të zbatimit të ligjit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›