Inter, ridel në skenë Didier Drogba
Zlatan Ibrahimoviç vazhdon të jetë një lojtar i Interit. Por ditët e fundit priten të jenë edhe më të rëndësishmet për të ardhmen e tij. Vetëm pak ditë më parë, Çelsi ka bërë një ofertë të çmenduar (kartonin e Dekos e Karvajos dhe më shumë se 58 milionë euro), një propozim që mund ta joshë Moratin. Ndërsa Murinjo është në pritje të lajmeve, por i ka thënë klubit se, nëse Ibra do të ikë, shkëmbimi që ai pret nga Londra është Didier Drogba. Pa afrikanin, shkëmbimi nuk bëhet. Morati dje ka evituar komentet rreth sulmuesit. Mino Rajola, menaxheri i tij, ishte në dijeni të zhvillimeve të fundit, por i ka siguruar tifozët për të ardhmen e klientit të tij: "Oferta nga Mançester Junajtid dhe Çelsi për Ibrën? Nuk ka asgjë të vërtetë. Flitet thjesht për interesime. Po të kishin ardhur oferta, do ta dija unë ose Interi. Por në të vërtetë nuk ka gjë... Zlatan është i qetë, se ka edhe katër vite kontratë me Interin dhe është i lumtur këtu. As nuk ka ndërmend të largohet". Në fakt objektivi i vërtetë i drejtorit sportiv të Çelsit mbetet Riberi, edhe pse Ançeloti me Drogbanë (të skualifikuar në Champions League) dhe Anelkanë ndihet i sigurt në sektorin ofensiv. Vetë Ibra, edhe pse ka thënë se ndihet mirë tek Interi, kur vjen puna për të folur për të ardhmen e tij, nuk jep qartësi. Ka shumë mundësi që ky të jetë plani B i tij. Shkëmbimi me Drogbanë mund t‘i mundësojë atij një kalim në Angli.