E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, lufta politike kalon në KRRT

Kryebashkiaku Dako dhe të tijtë bllokojnë lejen për ndërtimin e portit të peshkimit
Kryetari i KRRT-së, njëkohësisht kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, kundërshton dhënien e lejes për shesh ndërtimi të portit të peshkimit, ndërsa loja politike vazhdon të shfaqet e fortë në Bashkinë e Durrësit, ku në organet vendimmarrëse si KRRT dhe Këshilli Bashkiak të djathtët kanë shumicën. Investimi prej 15 milionë dollarësh vazhdon të mbahet peng i kundërshtive mes qeverisë dhe Bashkisë së Durrësit për vendin se ku do të ngrihet ky port. Mbledhja e parë e KRRT-së së bashkisë për këtë vit ka dështuar pas debatesh të shumta mes anëtarëve të djathtë të këtij organi vendimmarrës dhe kryetarit Dako e anëtarëve të tjerë të tij. Si pikë e rendit të ditës ishte përfshirë diskutimi për këtë port, ndërsa anëtarët e rinj të KRRT-së së propozuar e miratuar nga këshilltarët bashkiakë të PD-së dhe LSI-së, kërkuan që në mbledhjen e ardhshme të vihet në krye të rendit shqyrtimi për dhënien e lejes për shesh ndërtimi të portit, një projekt ky i cili prej vitesh nuk po gjen rrugën e zbatimit. Anëtarët Ardian Muka dhe Mimoza Hysi kanë replikuar me Dakon dhe anëtarë të tjerë të stafit të tij në tone të larta, duke kujtuar se flota e peshkimit prej 130 anijesh dhe afro 700 veta të punësuar në të, është në pritje të portit të ri. Kërkesa e anëtarëve të djathtë të KRRT-së, që kanë shumicën prej 8 votash nga 15 anëtarë që ka gjithsej ky organ, jo më për diskutim, por për shqyrtim të dhënies së lejes së sheshit nuk u mor parasysh nga kryetari Dako, i cili tha se përgjigjen për këtë projekt e ka dhënë qysh në muajin dhjetor të vitit 2008, kur është kërkuar rivendosja në afat e miratimit të lejes së sheshit të ndërtimit për portin e peshkimit në Durrës. Në rast se do të përfshihet kërkesa e tyre do të thotë që projekti merr miratimin, me shumicë votash, për sheshin e ndërtimit dhe nisin procedurat e zbatimit të projektit që është realizuar që në vitin 2004. Në janar të vitit 2007 është ratifikuar marrëveshja mes Qeverisë Shqiptare dhe Bankës Islamike për Zhvillim për këtë projekt dhe sipas specialistëve të tij ndryshimi i vendit ku do të ngrihet porti do të digjte fondin e akorduar duke e nisur gjithçka nga e para. Ky pretendim nuk qëndron për urbanistët dhe juristen e bashkisë, të cilët thonë se fondi është një kredi dhe jo një grant. Bashkia është pozicionuar hapur kundër projektit ministror që parashikon ndërtimin e këtij porti aty ku sot ndodhet kalata 0 e portit detar dhe që parashikohet të jetë zgjatimi i shëtitores bregdetare, përtej murit rrethues të portit. Dako ka propozuar ndërtimin në kalatën lindore të portit. Pas debateve, mbledhja e KRRT-së u mbyll pa shqyrtuar kërkesat e shumta për leje ndërtimi dhe sheshesh, si dhe investime të tjera në qytet. Ishin 49 kërkesa për leje sheshesh ndërtimi dhe 28 kërkesa për leje ndërtimi që prisnin të shqyrtoheshin, po gjithçka ka mbetur në diskutimet e tensionuara për portin e peshkimit dhe është mbyllur pa siguruar dot vazhdimësinë e mbledhjes në pikat e tjera të rendit ditor.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›