Gjeneralët irakianë në Serbi: Duam avionët tanë
Autoritetet në Irak kanë kërkuar nga Serbia t’u kthejë 19 avionë luftarakë të prodhuar në Rusi, të cilët ishin dërguar që nga koha e regjimit të Sadam Huseinit për t’u mirëmbajtur e riparuar. Askush në Irak nuk ishte kujtuar për avionët që mbante Serbia deri tani, pak muaj që kur Shtetet e Bashkuara vendosën ta lënë situatën e sigurisë në duart e qeverisë irakiane. Një delegacion ushtarak irakian ka mbërritur dje në Serbi për të kërkuar 19 avionët që ishin dërguar që në vitin 1989 për t’u riparuar në ish-Jugosllavi. Sipas AFP, njoftimin për këtë e bëri zëdhënësi i Ministrisë irakiane të Mbrojtjes, gjenerali Mohammed al-Askari. Gjenerali Othman al-Fredji, këshilltar në Ministrinë e Mbrojtjes dhe kreu i Forcave Ajrore irakiane, Anwar Mohammed Amin po negociojnë me Serbinë për të rimarrë 19 avionët e tipit MIG-21 dhe 23 avionët luftarakë sa më shpejt të jetë e mundur. Përpara shpërbërjes së saj në vitin 1990, ish-Jugosllavia ka qenë një furnizues i rëndësishëm armësh për Irakun. Kërkesa nga Iraku u bë vetëm një ditë pasi mbyllën një marrëveshje me Serbinë, e cila do të eksportojë armë me vlerë 100 milionë dollarë në Irak. Për të realizuar këtë marrëveshje do të angazhohen gjashtë fabrika serbe të prodhimit të armëve dhe mbi 6000 punëtorë.