Kalifornia në flakë, 6 qytete evakuohen
Zjarret po kërcënojnë Los Anxhelosin në Shtetet e Bashkuara, duke iu afruar dje një zone me 10 mijë shtëpi dhe duke “marshuar” drejt komuniteteve të tjera nga ana tjetër e maleve. Zjarret janë dyfishuar gjatë orëve të para të së dielës, duke djegur rreth 35.000 akre pemë (14.000 hektarë) në malet e pesë qyteteve, sipas departamentit të zjarrit në Kaliforni. 10.000 shtëpi po evakuohen dhe 500 ndërtesa komerciale janë në rrezik, ndër të cilat subjekte të rëndësishme telekomunikacioni, kulla transmetimi televizionesh e radiosh etj. Zjarri që nisi të mërkurën në veri të Los Anxhelosit nuk po tregon shenja të dobësimit. Tre persona janë lënduar deri tani. Situata është ende jashtë kontrollit, shkatërroi më shumë se 14.000 hektarë pyje, 30 kilometra në veri të Los Anxhelosit. Sipas autoriteteve, zjarri është duke u përhapur shumë shpejt për shkak të temperaturave të larta. Guvernatori i Kalifornisë, Arnold Shvarceneger, të premten ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Të rrezikuara janë tani edhe rajonet që shtrihen në lartësi dhe në të cilat prej dekadash nuk ka pasur zjarre pyjesh. Flakët u afruan edhe pranë laboratorit në NASA-s “Jet Propulsion Laboratory”, por u devijuan drejt maleve në komunitetin Acton, ku urdhri i evakuimit ishte dhënë që të dielën.