Skandali i TVSh me takimin Topalli- Klinton
Zelli i tepërt për t’i shërbyer kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, ka bërë që Televizioni Publik Shqiptar të manipulojë hapur në lidhje me një takim të supozuar të Topallit me Sekretaren e re të Shtetit, Hilari Klinton.
Lajmi që është transmetuar në ditën kur Topalli ishte në Amerikë për të ndjekur ceremoninë e inaugurimit të presidentit amerikan, Barack Obama, është ilustruar me pamje të vjetra të një takimi që ka pasur Topalli me Klinton në vitin 2006, duke i shitur ato si pamje aktuale të këtij veprimi.
Në këtë vazhdë kanë qëndruar dhe gazetat pranë qeverisë që kanë publikuar një foto të Topallit me Klintonin të vitit 2006.
Zyra e Shtypit pranë Kuvendit nuk e ka përgënjeshtruar këtë lajm, duke i shtuar një tjetër skandal kësaj vizite të Topallit.
Në faqen parlamentare u botua një foto dhe një njoftim sikur Topalli kishte takuar një kongresmen që quhej Bill Hanbury, i cili rezultoi të ishte thjesht një drejtues i një agjencie turistike në Uashington.
Madje, mediet pranë qeverisë thanë që ishte pikërisht Hanbury që e kishte ftuar Topallin. Shpesh u fol për një delegacion zyrtar shqiptar në këtë ceremoni, kur u pa qartësisht se nuk kishte asnjë zyrtar të lartë të huaj në këtë ceremoni, tërësisht amerikane, ku mund të shkojnë vetëm ata që kanë dëshirë dhe që sigurojnë biletat që u shitën në eBay.
Por, që në fillim u hodhën dyshime për mundësinë e një takimi, madje të një shkëmbimi të shpejtë mes Topallit dhe Klintonit për shkak të angazhimeve të shumta të politikanes amerikane.