E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gjenocidi”, Turqia u frikësohet votave të tjera pro

Autori i Lajmit: A.D

Ankara – Që prej etiketimit gjenocid, të krimeve të turqve kundër armenëve një shekull më parë, të ligjbërësve suedezë dhe amerikanë, Turqia së fundmi kërcënoi me dëbimin e 100 mijë armenëve nga vendi që jetojnë momentalisht në Turqi pa gëzuar shtetësinë turke. Kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan, i nervozuar për shkak të vendimit të komitetit të Kongresit amerikan dhe Parlamentit suedez se do ti quante “gjenocid” vrasjen e 1.5 milionë armenëve në vitin 1915, ka kërcënuar disa herë se do ta ndërpresë procesin e negociatave turko-armene që nisi vitin e shkuar. Tani zoti Erdogan mund dhe të refuzojë një samit për energjinë që zhvillohet në SHBA, ku ai pritej të takohej dhe me presidentin Obama. Ai e ka bërë diçka të tillë me palën suedeze, kur refuzoi një takim të nivelit të lartë në Suedi ndërsa tërhoqi ambasadorët nga Uashingtoni dhe Stokholmi pas dy votave pro. “Ka rreth 170 mijë qytetarë armenë aktualisht që jetojnë në vendin tonë”, - tha Erdogan disa ditë më parë për BBC-në turke në Londër. “Vetëm 70 mijë prej tyre kanë shtetësinë turke, por ne po tolerojmë 100 mijë qytetarët e tjerë. Nëse do të jetë e nevojshme, unë mund tu kërkoj këtyre qytetarëve armenë që të kthehen sërish në vendin e tyre, sepse nuk janë shtetas turq. Unë nuk kam pse i mbaj ata në vendin tim”. Shumica e armenëve jetojnë në Stamboll, ku ata kanë jetuar që prej tërmetit të 1988-ës dhe nga ata dërgojnë remitancat në vendin e tyre. Votat suedeze dhe amerikane erdhën si rezultat i lobimit të fortë të diasporës armene, e cila ka kërkuar rezolutë dhe në shumë vende të tjera të botës perëndimore. “Votat e fundit kanë zhbalancuar qeverinë turke, kështu që ka një zemërim dhe shqetësim që mund të vijë për shkak të votave të tjera pro nga parlamentet e vendeve të ndryshme”, - thotë Cengiz Candar, një gazetar që shkruan për gazetën radikale “Hurriyet” në Stamboll.

Ky lajm është publikuar: 19/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›