E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koreja e Veriut - Sarriti objektivat ekonomikë, ekzekutohet ish-shefi i financave

Autori i Lajmit: A.D

Phenian - Për shkak të një reforme të dështuar të monedhës, Koreja e Veriut ka ekzekutuar një funksionar të lartë të qeverisë. Ish- drejtori i Planifikimit dhe Financave në Partinë Komuniste, Pak Nam Gi, është ekzekutuar javën e kaluar në një kazermë në Phenian, njofton agjencia koreanojugore e lajmeve, “Yonhap”. 77-vjeçari Pak Nam Gi u shkarkua në fund të muajit shkurt nga detyra, sepse nuk arriti të vinte nën kontroll inflacionin e madh që ka përshirë vendin. Për shkak të zhvlerësimit të monedhës vendase von, kriza e ushqimeve në Korenë e Veriut është përkeqësuar në mënyrë dramatike. Ai u akuzua se ishte përgjegjësi kryesor i “fiaskos së reformës së valutës vendase që shkaktoi një inflacion masiv, solli mungesë ushqimesh dhe u dha një goditje të fortë përpjekjeve të udhëheqësit komunist të vendit, Kim Jong Il, që tia kalonte pushtetin djalit të tij”,- thoshte më tej agjencia. Pak ishte kryetari i departamentit të Planifikimit dhe Financimit në Partinë e Punës së Koresë së Veriut. Ai ishte pushuar nga puna në muajin janar. Në dhjetor të vitit 2009, Koreja e Veriut rivlerësoi monedhën e saj. Për më tepër, sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, ligjet e reja të implementuara përfshinin rregullimin e konsumit, shtrëngimin e kontrollit të shtetit mbi tregjet dhe pengimin e përdorimit dhe posedimit të valutave të huaja. “Por ky rivlerësim duket se rezultoi në rritjen e inflacionit dhe konfiskimit të pasurisë private të fituar nga tregtarët vendas në tregjet e huaja jashtë sektorëve të kontrolluar nga ekonomia e shtetit”, - thuhet në raportin e DASH-it. Sipas SHBA-së, këto veprime të diktatorit Kim Jong Il tregojnë dhe frikën që ai ka për rrëzimin nga pushteti.

Ky lajm është publikuar: 19/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›