E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagoset me çifte, humb jetën prej hemorragjisë

Gjirokastër -Një person nga Gjirokastra ka humbur jetën në gjueti dje, ndërsa është vetëplagosur me çifte gjahu. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë Gjirokastër, gjatë ditës së martë Dritan Kllapi së bashku me një shokun e tij kishin dalë për gjueti në zonën e Malit të Gjerë. Rreth mesditës nëpërmjet celularit ai ka lajmëruar policinë lokale se ishte vetëplagosur me çifte, duke kërkuar ndihmë për t’u transportuar në spital. “Ishte ora 12.30 e së martës kur D. Kllapi telefonoi në sallën operative duke na kërkuar ndihmë për ta transportuar pasi ishte vetëplagosur me çifte dhe po humbiste shumë gjak. Madje, për të mbërritur në kohë ai kërkoi që ta merrte helikopteri”, thonë burimet policore. Me marrjen e këtij njoftimi drejt vendit për të cilin bënte fjalë telefonata janë nisur me dhjetëra forca policie për t’i ardhur në ndihmë të plagosurit. Sipas grupit hetimor, ai ishte plagosur aksidentalisht me çifte në pulpat e të dy këmbëve. Por për shkak të plagës së marrë dhe hemorragjisë ai nuk ka mundur të mbijetojë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›