E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot rinis procesi për Gërdecin



Tiranë - Tre gjykatësit e Tiranës, Ridvan Hado, Shefkie Demiraj dhe Fatmira Hajdari, do të ulen sot sërish për të hapur një nga proceset më të rëndësishme të Gjyqësorit shqiptar, atë ndaj të pandehurve për tragjedinë e Gërdecit. Dy herë radhazi trupi gjykues nuk ka mundur ta nisë procesin për shkak të mungesës ose të avokatëve, ose të ndonjërit prej të pandehurve. Por duket se i njëjti fat e pret këtë proces, pasi mësohet se nëse seanca hapet, avokatët do të kërkojnë veçimin e çështjes së ish-ushtarakëve nga ajo e të pandehurve civilë, çka do të sjellë shtyrje drejt një date tjetër për procesin gjyqësor. Megjithëse Prokuroria e Përgjithshme e ka depozituar dosjen në gjykatë që në muajin mars, gjyqi po zvarritet nga njëri muaj në tjetrin. Përpara se Gjykata e Lartë të ndante çështjen duke mbajtur të pandehur vetëm ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Gjyqi në këtë gjykatë dështoi dy herë. Por edhe atëherë kur 28 të pandehurit e tjerë mes të cilëve edhe Luan Hoxha, Mihal Delijorgji, Ylli Pinari e Dritan Minxhoilli përfunduan në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës, Gjykata e Lartë nuk mundi dot ta niste gjyqin ndaj Mediut.

I dënuari për pengmarrje kërkon të rifitojë lirinë
Tiranë - Tre vjet pasi rrëmbeu një autobus me pasagjerë në autostradën Durrës-Tiranë, protagonisti i pengmarrjes së rrallë i kërkon Gjykatës së Krimeve të Rënda të urdhërojë ndërprerjen e mjekimit të detyrueshëm ndaj tij dhe ta rikthejë në shtëpi që të kurohet me mjekim ambulator nga familja. 28-vjeçari Ardian Sina, i cili mbahet në Spitalin e Burgut si i sëmurë skizofren afektiv, në vitin 2006 alarmoi Policinë shqiptare pas rrëmbimit të një autobusi me 25 pasagjerë. Nën kërcënimin e një granate ai paralajmëroi se do ta shpërthente në rast se nuk i plotësoheshin kërkesat. Në analizat mjekësore të mëparshme rezultoi se i riu nga Kamza kishte probleme psikike pas një aksidenti automobilistik të pësuar, çka e kishte dërguar atë në gjendje depresive. Por avokati i tij i tha gjykatës se tashmë situata mendore e klientit të tij është stabilizuar dhe mjekimin e tij mund ta bëjnë në kushte shtëpie edhe familjarët e tij. Ndërkohë pritet që Prokuroria e Krimeve të Rënda të mbajë qëndrimin e saj për këtë kërkesë, nëse do ta konsiderojë apo jo person me rrezikshmëri për shoqërinë dhe më pas gjykatësi Luan Hasani do të shprehet me një vendim.

Kryeprokurorja Ina Rama paditet në gjykatë nga vartësi i saj

Tiranë - Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, është paditur në Gjykatën e Tiranës vetëm pak ditë më parë nga vartësi i saj. Prokurori i shkarkuar vetëm pak ditë më parë nga presidenti me propozim të Ina Ramës i është drejtuar gjykatës për të marrë të drejtat e cenuara për të cilat ai ka ngritur pretendimin. Burime pranë kësaj gjykate shpjeguan se Tom Dedaj ka paraqitur padinë me objekt shfuqizimin e Urdhrit të Përgjithshëm Nr. 110, datë 15.05.2009 “Për pezullim nga detyra të prokurorit Tom Dedaj, shfuqizimin e urdhrit të drejtuesit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin të datës 30.06.2009 për ndërprerjen e pagës nga data 01.06.2009 e në vazhdim. Shpalljen të pavlefshëm të urdhrit të prokurorit të Përgjithshëm Nr. 111, datë 15.05.2009 për fillimin e procedimit disiplinor ndaj prokurorit Tom Dedaj”. Kjo çështje i ka rënë për gjykim gjyqtares Miranda Doja.

9 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›