Opozita në Iran beson në largimin e shpejtë të Ahmadinejadit
Njëri nga udhëheqësit e opozitës në Iran, Mehdi Karroubi, theksoi se presidenti i Iranit, Mahmoud Ahmadinejad, rizgjedhja e kontestuar e së cilit nxiti trazira në rrugët e qyteteve iraniane, nuk do të mbijetojë deri në fund mandatin e tij katërvjeçar, njoftoi sot një gazetë.
Karroubi theksoi se keqmenaxhimi i Iranit nga ana e Ahmadinajadit do të rezultojë me largimin e tij nga pushteti.
“Duke pasur parasysh problemet politike dhe ekonomike, plus politikën kundërthënëse të jashtme, unë personalisht besoj se Ahmadinejadi nuk do të jetë në gjendje ta përfundojë mandatin e tij të dytë”, i tha Karroubi gazetës britanike Financial Times.
Ai më tutje parashikoi se forcat e moderuara në Iran, nga të gjitha pjesët e spektrit politik, do të bashkohen, për të gjetur një zgjidhje për problemet e Iranit dhe për të shpëtuar republikën islamike, e cila sipas mendimit të tij është e kërcënuar.
“Forcat nga radhët e të dy palëve, të cilat brengosen për sistemin islamik, do të bashkohen, pasi që të vërejnë se sistemi dhe republika islamike janë të rrezikuara. Kjo do të ndodhë mjaft shpejtë”, tha Karroubi.
Gjatë protestave kundër Ahmadinejadit, të kryesuara nga Karroubi dhe udhëheqësi tjetër i opozitës, Mir Mousavi, me qindra mijëra njerëz u tubuan nëpër rrugë, për të demonstruar kundër rezultat të manipuluar të zgjedhjeve presidenciale.