Me veshët nga Tbilisi i luftës
Një çift bashkëshortësh, shqiptaro-gjeorgjian, gjenden të bllokuar në Tbilisi, kryeqytetin e Gjeorgjisë, shtetit në luftë me Rusinë. Prej dy ditësh linja telefonike me shtetin në Kaukazi nuk funksionon, e gjatë kësaj kohe prindërit në Tiranë rrinë në ankth me telekomandën e televizorit në dorë duke ndjekur vetëm kanalet ruse
Paçka se nuk e shprehin haptazi, ankthi vihet re qartë te të dy bashkëshortët. Një grua qan mbi kufomën e burrit, në qytetin e bombarduar Gori, në Gjeorgjinë Lindore. Pamjet e transmetuara nga BBC, na shokojnë të gjithëve sa jemi në dhomë. Asgjë nuk pipëtin, ndërkohë që nevoja për të pasur lajmin e fundit, e shtyn Nekiun të gërmojë në stacionet e shumta satelitore, që lajm të parë kanë luftimet e ashpra në Osetinë Jugore. Ambasadori rus në OKB, Vitali Çurkin akuzon Gjeorgjinë, për gjenocid ndaj osetianëve. Channel 1, kanali më i madh satelitor rus, ka nisur që mëngjes herët transmetimin e filmave me tematikë luftën; “Osvjeti Xod”, rrëfen trimërinë e ushtarëve rus në Çeçeninë kaukaziane, fqinj me Gjeorgjinë. Po kush e ka mendjen aty? Iliri, shqiptar me profesion infermier dhe bashkëshortja e tij gjeorgjiane Maja, soprano në aktivitet, qëndrojnë prej 25 muajsh të bllokuar në kryeqytetin Tbilisi, qendrën më të madhe urbane të shtetit që rusët e quajnë Gruzia. Ata kanë mbetur në një prej vendeve të botës ku askush nuk do të donte të ishte sot, ata janë në mes të luftës. Nga ana tjetër prindërit në Tiranë ndjekin çdo gjë me ankth...
Iliri dhe Maja u larguan dy vite më parë nga Italia, për të vazhduar jetën në Moskë, por që për fat të keq të tyre, e morën vendimin në momentin më delikat të marrëdhënieve diplomatike midis Rusisë dhe Gjeorgjisë. Çifti i bashkëshortëve mbërriti në Gjeorgji, vetëm pak ditë para se Rusia t’i mbyllte dyert gjeorgjianëve për të hyrë në territorin e saj. Maja kishte vendosur të çmallej pak kohë me tokën ku ishte lindur për t’u nisur më pas drejt Moskës, aty ku qëndronte prej vitesh i vëllai, sipërmarrës në fushën e hotelerisë.
“Katër oficerë të lartë rusë, u ndaluan nga forcat e sigurisë gjeorgjiane, pasi dyshohen për spiunazh”,- ishte lajmi i ditës më 12 qershor të vitit 2006, që mbushi ekranet botërore. Moska zyrtare reagoi ashpër: “Asnjë gjeorgjian nuk do të lejohet të futet në territorin e Federatës Ruse”. Me shpresën se marrëdhëniet midis dy shteteve do të përmirësoheshin, Iliri dhe Maja, pritën më kot dy vite, që të gjenin një rrugëdalje. Nekiu thotë se rusët e kishin të gjithë inatin me gjeorgjianët. “Iliri mund të kalonte pa problem në Rusi, por problemi qëndronte te bashkëshortja me origjinë gjeorgjiane. Me gjithë dokumentacionin e rregullt, rusët nuk e lejuan të kalonte kufirin. Kjo ndodhi edhe kur në formacionin muzikor të yjeve që do të jepnin koncert në Moskë, ishte e ftuar edhe Maja. Për vetë faktin se Gjeorgjia nuk kishte marrëdhënie të mira me Rusinë, ajo sërish nuk u lejua të shkonte në Moskë”.
Linja telefonike me Gjeorgjinë është ndërprerë dhe prindërit e moshuar po tentojnë gjithçka për tu lidhur me djalin
Telefonata e fundit me djalin pak para rrethimit
Linja telefonike me Gjeorgjinë nuk punon. Kështu ka që të premten. Xhevahirja mundohet të përdorë të gjitha mënyrat e komunikimit. Provon si me telefon fiks, ashtu edhe me celular, por linja me Tbilisin është e mbyllur. Komunikimi i fundit me të birin dhe bashkëshorten e tij është kryer mbrëmjen e së enjtes, pak orë pasi trupat gjeorgjiane rrethuan dhe bombarduan Tskhinvalin, kryeqytetin e rajonit separatist të Osetisë Jugore. Që atëherë asnjë lajm. Një burrë qan mbi kufomën e të vëllait. Mikhail Sakashvili, presidenti pro-perëndimor gjeorgjian, sakaq shfaqet në ekran i shpërfytyruar. Portreti i liderit me flokët e shpupuritura tregon se nata në Gjeorgji ka qenë e lodhshme. “Gjeorgjia shpall gjendjen e luftës. Kush dezerton do të quhet tradhtar. Urdhëroj drejtuesit e ushtrisë gjeorgjiane, që të përdorin për cilindo ushtar që braktis frontin e luftës të përdorë ligjin marcial, pra ekzekutimin pa paralajmërim për ata që i bashkohen trupave ruse”. “Zdrasvujte Novosti”. Spikerja simpatike ruse mbin sërish në ekran. Nekiu ngre zërin e televizorit, por asgjë. Nga fronti i betejës, lajmet janë kontradiktore. Vitali Curkin e trash më shumë zërin, ndërsa i dërguari gjeorgjian në Këshillin e Sigurimit, një djalosh ezmer dëgjon gjithë zemëratë. Pjesa e mbetur e filmit “Osvjeti Xod”, vazhdon transmetimin, ndërsa dy bashkëshortët, Neki dhe Xhevahire, as që e kanë mendjen aty, por nga tringëllima e telefonit, që duket sikur do të bjerë nga çasti në çast.