E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukës, familjarët e dy oficerëve: Na largoni, s’duam përballje me vrasësit

 

KUKES - Të afërmit e dy oficerëve të policisë së Kukësit të vrarë në detyrë më 23 mars 2009, kërkojnë që shteti t'u mundësojë largimin nga kjo zonë. Destan Dobrushi, 63-vjeç, babai i oficerit të vrarë Shkëlzen Dobrushi, apeloi për ndihmë në një takim me zv/drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Hysni Burgaj, i cili vizitoi së fundi familjet e policëve të vrarë në Kukës. Babai i oficerit të vrarë ka kërkuar ndihmë nga shteti dhe pushteti lokal për t'u zhvendosur familjarisht nga zona ku banojnë aktualisht, në një vend urban me qëllim që të mos përballen çdo ditë me familjarët e autorit të vrasjes së dy policëve, të cilët banojnë në të njëjtin fshat. Zv/drejtori i Përgjithshëm i policisë, i cili u dorëzoi disa ndihma financiare familjeve të oficerëve që ranë në detyrë, shoqërohej nga Drejtori i Policisë së Kukësit, Muharrem Furriku dhe Prefekti Qamil Cenalia. Të afërmit e oficerëve të vrarë kanë shfrytëzuar rastin, duke u bërë apel shtetarëve për ndihmë, me qëllim që të largohen nga vendbanimi aktual, një zonë e thellë malore edhe për shkak të arsimimit të fëmijëve të policëve, të mbetur tashmë jetimë. Destani, babai i Shkëlzen Dobrushit dhe nëna e tij Lazimja, 64 vjeçe, tani jetojnë me mbesat e mbetura jetime dhe me nusen e djalit të tyre që ra në krye të detyrës. Ata kërkojnë që shteti t'u japë mundësi të arsimojnë mbesat e mbetura jetime pas ekzekutimit të oficerit Dobrushi mbrëmjen e 23 marsit 2009. Të njëjtën kërkesë kanë paraqitur edhe familjarët e oficerit tjetër, që u vra tri javë më parë. Të afërmit e ish-policit Ramadan Hila, dhe bashkëshortja e tij, Elmira, thonë se ngjarja ka shkaktuar një klimë jo të mirë në fshat çka mund të sjellë çdo të papritur. Ata kërkojnë ndihmën e shtetit për t'u zhvendosur me banim në një zonë urbane, me qëllim që të kenë mundësi për arsimimin e fëmijëve të mbetur jetimë pas vrasjes së babait të tyre nga bashkëfshatari Afrim Hasani. Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj vizitoi më 8 prill 2009, familjet e dy oficerëve të rënë në krye të detyrës në Kukës. "Zëvendësdrejtori Burgaj garantoi familjarët e policëve të vrarë për mbështetjen e Ministrisë së Brendshme dhe strukturave të Policisë së Shtetit për t`ju gjendur pranë në këto momente të vështira dhe të dhimbshme", thanë burimet zyrtare. Përfaqësues të programit amerikan ICITAP, që asiston në policinë shqiptare, i kanë dorëzuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, dy zarfe, në të cilat kanë kontribuar në mënyrë vullnetare stafi i këtij programi, për të ndihmuar familjet e oficerëve të vrarë në detyrë. Dje avokati i autorit të krimit Afrim Hasani dorëzoi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda një kërkesë zyrtare për ekspertim mendor ndaj klientit të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›