E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Unë jam ARTI-st”, 27 artistë në “Onufri”

22/12/2010  Vepra në pikturë, fotografi, skulpturë dhe instalacion nga 27 artistë shqiptarë të Shqipërisë dhe të Kosovës do të ekspozohen në edicionin e 17-të të “Onufri”-t që do të çelet nesër në Galerinë Kombëtare të Arteve. Të përzgjedhura në bazë të konceptit kuratorial me titull “Unë jam ARTI-st”, veprat pasqyrojnë zhvillimin e artit bashkëkohor nga artistët shqiptarë dhe veçimi i tyre u krye në bazë të njohjes dhe vlerësimit të krijimtarisë së artistëve.

Sipas kuratores të “Onufri 2010”, Suzana Varvarica Kuka, në këtë ekspozitë do të njihemi me vepra që transmetojnë veprimtari të koshiencës dhe subkoshiencës së artistit gjatë procesit të formimit dhe të ekzekutimit të veprës. “Punët e Onufri 2010 transmetojnë në figura çështje që ceken në konceptin kuratorial dhe disa prej tipareve të fizionomisë së artit dhe të jetës problematike shqiptare. Gjithashtu do të dallojmë kahun e identitetit të zhvillimit të artistit të ri shqiptar. Ai tenton, si prodhues i veprës së artit, të tregojë se vetë është një produkt njerëzor që nis tek edukimi akademik, brumoset gjatë përshkuarjes së rrugës konceptuale dhe është tentues për të lënë shenja gjatë eksperiencave krijuese bashkëkohore”, vëren Kuka. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 3 shkurt 2011. Artistët pjesëmarrës janë: Gazmend Leka, Andi Hila, Edmond Gjikopulli, Yllka Gjollesha, Gjergji Shoshi, Ledia Konstandini, Heldi Pema, Endri Dani, Gentian Gjikopulli, Matilda Odobashi, Genti Korini, Alketa Ramaj, Oriana Kamberi, Artan Draçini, Sidi Kanani, Nikolin Bujari, Rrezart Galica-Giqi, Sabile Tmava-Billi, Drtiton Selmani, Sara Çapaliku, Anon, Një Njeri, Violana Murataj, Enkelejd Zonja, Greta Dhaskali Lami, Ilirjan Shima, Entela Kasemi.

B.Goce

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›