E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjergj Bojaxhi mbi fadromë,shemb 12 shtëpi për rrugën



KRUJE/ ROLAND NIKOLLI

Përleshje në Thumanë ndërmjet banorëve dhe forcave të policisë, të cilët kishin ardhur në ndihmë të Inspektoratit të Policisë Ndërtimore.Të paktën 10 persona, banesat e të cilëve do të shembeshin me qëllim zgjerimin e superstradës u shoqëruan në polici. Si pasojë e kundërshtimit të shembjes së banesave si dhe përplasjes me efektivët, u thye edhe një xham i fadromës së Policisë Ndërtimore. Gjatë aksionit për prishjen e ndërtesave, ishte dje në Thumanë edhe vetë kreu i sapoemëruar i këtij inspektorati, Gjergj Bojaxhi. Ai është ngjitur në fadromë bashkë me drejtuesin e saj, duke urdhëruar futjen me forcë dhe prishjen e shtëpive të banimit. Deri në mbrëmjen e vonë u prishën 12 banesa në këtë zonë. Por banorët e kanë kundërshtuar shembjen e shtëpive të tyre nga ana e Inspektoriatit Ndërtimor, pasi ata nuk janë dakord me vlerën e shpronësimeve që ka kryer Drejtoria e Rrugëve, madje sipas banorëve, ata kanë hedhur në gjyq edhe këtë drejtori. "Shpronësimi i banesave nuk është bërë me koston reale që ka tregu. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me sipërfaqet e tokës që zihet nga superstrada. Ne nuk jemi kundër ndërtimit të saj, por me vlerën që na është afruar për shpronësimet për banesat dhe tokën, ne nuk mund të blejmë më një shtëpi tjetër. Përderisa procesi është në gjykatë, nuk duhet të ndërhyhet kaq brutalisht në pronën e tjetrit. Ne e kemi vënë edhe më parë në dijeni Qeverinë jo vetëm me anë të letrave, por edhe me anë të protestave që kemi zhvilluar. Por askush nuk ka ardhur për të na takuar, ndonëse disa herë kemi bllokuar edhe rrugën", u shpreh Osman Dika, banor i Thumanës. Sipas tij, ata nuk ishin lajmëruar më parë për prishjen e banesave të tyre, vetëm kur kishin parë fadromat dhe policinë.
"Jemi përpjekur për të mbrojtur banesat tona, të cilat i kemi ndërtuar me shumë mund dhe djersë, por sot forcërisht Inspektoriati i Ndërtimit, i drejtuar nga Gjergj Bojaxhi dhe i mbështetur nga forcat speciale na i prishi shtëpitë, duke na lënë në qiell të hapur", u shprehën banorë, të cilët ishin pjesëmarrës në përleshjen e djeshme. Banorët e Thumanës kanë dalë disa herë në protesta, duke bllokuar edhe rrugën nacionale, ku kërkonin rivlerësimin e banesave të tyre dhe sipërfaqeve të tokës. Në orët e darkës kanë mbetur të pastrehë 70 familjarë, të cilët nuk kishin as ndonjë ambient tjetër për të qëndruar. Deputetë të PS-së që shkuan në këtë zonë premtuan çadra, por as prej tyre e as nga pushteti vendor nuk u shpërndanë të tilla. Në mbrëmje, banorët hodhën akuza dhe ndaj kryekomunarit të tyre, Gëzim Keqi, i cili sipas tyre u kishte premtuar se nuk do të bëhej shembja, derisa Gjykata e Krujës të jepte vendim.

Seseri: Qeveria po rrënon banorët e Thumanës
Deputetja socialiste e qarkut të Durrësit, Rudina Seseri, reagoi dje menjëherë pas aksionit të Ndërtimorëve. "Sot Policia Ndërtimore është përleshur harbutërisht me 12 familje në komunën e Thumanës. Pasi Qeveria mashtroi këta banorë duke shpronësuar shtëpitë e tyre me një çmim qesharak poshtë nivelit të tregut, banorët e Thumanës kanë nisur një proces gjyqësor në të drejtën e tyre për rivlerësim të pronës dhe pasurisë së tyre. Por shteti antiligjor i fadromave nuk pret as vendimin e gjyqit, dhe çfarë është me cinikja, nuk pret që banorët e varfër të kësaj zone të arrijnë të marrin të paktën tullat e shtëpive të tyre të nënvleftësuara. Duke përdorur instrumente të verbër si Policia Ndërtimore, pas rrënimit ekonomik të banorëve të kësaj zone, kjo Qeveri vendos t'i rrënojë ata edhe fizikisht", u shpreh Seseri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›