E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: PS në protestë deri në mosbindje civile



“Protesta është i vetmi mjet i opozitës dhe popullit deri në mosbindje civile”. Kështu u shpreh kreu socialist gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët në selinë rozë. I pyetur nga gazetarët se ç’kupton me mosbindje civile, Rama u përgjigj se kuptimin e këtij termi mund ta gjeni në enciklopedinë ëikipedia.
“Kemi shkruar një ligj për zgjedhjet dhe sot kemi një Parlament të dalë nga shkelja e këtij ligji. Kemi diskutuar dhe miratuar me konsensus me palën tjetër një ligj për zgjedhjet dhe sot kemi dy palë në konflikt, për shkak të moszbatimit të këtij ligji. Ky është realiteti dhe në rast se moszbatimi i ligjit kthehet në normë për çdo kënd dhe kudo ku interesat e pushtetit bien ndesh me interesat e qytetarëve, me interesat e cilitdo grupi interesi, me interesat e çdo shtrese shoqërore në tërësi, atëherë jemi në kushtet kur populli duhet të marrë fatet e veta në dorë, jemi në kushtet kur protesta është i vetmi mjet që i ka mbetur popullit deri në mosbindje civile”, u shpreh Rama. Duke e vënë theksin te kriza ekonomike, e cila sipas tij ka hedhur rrënjët në çdo cep të vendit, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, akuzoi Qeverinë se jo vetëm nuk po reflekton në këtë situatë, por përkundrazi sipas tij, ajo po vijon të drejtojë me politikën e saj ekonominë shkatërruese. Sipas kreut të Partisë Socialiste, kjo situatë është e lidhur pashmangshmërisht me transparencën e zgjedhjeve. “Ne sot jemi më të vendosur se kurrë që të kërkojmë transparencën e zgjedhjeve të shkuara, për të garantuar zgjedhjet e ardhshme dhe të protestojmë për të ndalur rrënimin ekonomik”, u shpreh Rama. Sipas kryesocialistit, marrëdhënia e kushtëzuar e socialistëve me Kuvendin e Shqipërisë do të vazhdojë deri në momentin kur të bëhet transparenca e zgjedhjeve, si një moment kyç për kreun e opozitës, për të rikthyer demokracinë në vend. “Për asnjë çast nuk e kemi ndalur dhe nuk do e ndalim betejën tonë në rrugën e protestave pa pushim deri në rivendosjen e demokracisë dhe në vënien në funksion të të gjitha instancave dhe institucioneve demokratike në këtë vend ku kanë rënë zgjedhjet, ka rënë drejtësia dhe po bie me shpejtësi ekonomia”, u shpreh Rama. Nisur nga deklaratat e komunitetit ndërkombëtar dhe thirrjet e vazhdueshme për të gjetur zgjidhje, Rama tha se për sa kohë maxhoranca është e shurdhët ndaj këtyre thirrjeve, zgjidhjet do t’i gjejë opozita dhe PS-ja. Kreu i opozitës ka ftuar Kryeministrin të reflektojë dhe të mos vazhdojë sipas tij, ta drejtojë vendin drejt një rruge pa krye, duke i rrënuar çdo ditë e më shumë shqiptarët. “Padyshim na takon neve që t’i japim krizës një zgjidhje dhe Partia Socialiste me opozitën e bashkuar është në këtë betejë pikërisht për ta zgjidhur këtë krizë, që nuk ka të bëjë fare me mënyrën se si ne qëndrojmë ndaj Parlamentit, por ka të bëjë me vetë legjitimitetin moral të këtij Parlamenti, me legjitimitetin politik të këtij Parlamenti, i cili qëndron mbi një krim elektoral, që për sa kohë nuk do të ketë kurajën dhe vullnetin ta hetojë në mënyrë të plotë dhe të pakushtëzuar, për aq kohë nuk do ta gëzojë mbështetjen tonë të plotë”, u shpreh Rama.
Ekonomia
Kryefjalë e kreut socialist dje ishte situata ekonomike. Rama akuzoi Qeverinë se po përpiqet të mbulojë krizën ekonomike në vend, duke fabrikuar shifra të rreme, të cilat sipas tij nuk tregojnë realitetin. Duke iu referuar referencave të fundit të Bankës së Shqipërisë si dhe një studimi të financuar nga USAID, Rama tha se rritja ekonomike përgjatë vitit 2009 ka qenë negative. Kreu socialist denoncoi gjithashtu rritjen e çmimit të ujit në kryeqytet, që sipas tij, është bërë në një masë prej 75%, ndërsa tha se rritja ekonomike e vendit është zero. “Dua ta rivë theksin te spekulimi i përgjithshëm me shifrat në funksion të mbulimit të krizës, duke iu referuar shifrave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, sipas së cilës, praktikisht jemi në kushtet se çka thamë në fund të vitit të shkuar ne si Parti Socialiste dhe opozita shqiptare se, rritja ekonomike në 2009-ën ka qenë zero. Duke trajtuar deficitin buxhetor që Banka e Shqipërisë jep, të njëjtën shifër që jep edhe Ministria e Financave për 2009, që ne e marrim si pikë referimi, arrijmë në konkluzionin se vënë në raport me inflacionin për 2009-ën, rritja ekonomike reale vitin e shkuar ishte zero. Por ka edhe një tendencë rënieje nën zero, pra një tendencë drejt kalimit në një rritje ekonomike negative. Së dyti, duke iu referuar një shifre zyrtare nga një studim i financuar nga USAID, nuk ka rritje të import-eksporteve në 2009-ën, por ka rënie të tyre dhe kjo është një rënie që vazhdon. Së treti, referuar shifrave zyrtare të analizuara pa asnjë interpretim tjetër, përveç rrugës aritmetike, fatura e ujit në kryeqytet e verifikuar javën e fundit nga tërësia e faturës së shpërndarë është rritur 75%”, tha Rama. Kreu socialist ritheksoi se protestat janë e vetmja rrugë për të kundërshtuar padrejtësitë e bëra nga pushteti, ndërsa ftoi qytetarët t’i bashkohen protestës së madhe që opozita do organizojë më 30 prill në Tiranë.

Mosbindja civile sipas wikipedia

Mosbindja civile është një refuzim i organizuar për disa ligje të Qeverisë, ose një administrimi ndërkombëtar, pa përdorur asnjë formë dhune. Kjo është nga metodat kryesore të rezistencës jo të dhunshme. Kjo formë kundërshtie (që besohet se e ka ardhur nga India) konsiderohet si një kundërshti e respektueshme dhe njerëzore. Një nga lëvizjet më të vjetra paqësore, njihet ajo e egjiptianëve kundër pushtimit britanik në vitin 1919, i cili ishte një revolucion paqësor. Mosbindja civile është një nga mënyrat e shumta, me anën e të cilave njerëzit rebelohen ndaj ligjeve të padrejta. Ajo është përdorur shumë në Indi gjatë Lëvizjes paqësore të Gandit kundër Perandorisë Britanike, në çekosllovaki, në Revolucionin e Kadifenjtë dhe në Gjermaninë Lindore për të larguar diktaturën komuniste, në Afrikën e Jugut kundër Aparteidit, në SHBA në lëvizjen civile për të drejtat njerëzore, në revolucionin e vendeve baltike për shkëputje nga Bashkimi Sovjetik dhe së fundi në 2004-ën në Revolucionin Portokalli në Ukrainë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›