E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjergji Koja kërkon krijimin e një partie të re

10/12/2010  Ish-anëtari i Partisë Socialiste të Vërtetë 91, Gjergji Koja, ka depozituar në Gjykatën Civile të Tiranës kërkesën për krijimin e një partie të re socialiste. Partia Socialiste e Reformuar pritet të jetë dhe subjekti më i ri në arenën politike shqiptare, që sipas gjasave do të konkurrojë si një forcë më vete në zgjedhjet e ardhshme vendore që do të zhvillohen më 8 majin e 2011-s. Ish-kryetari i FRESSH-it, Koja, i cili kaloi në radhët PSV 91 gjatë zgjedhjeve elektorale të 28 qershorit të vitit të kaluar, duket se tashmë u ka dhënë fund marrëdhënieve të tij me këtë forcë, aq më shumë me kreun e saj Petro Koçi. Konflikti mes tyre ka nisur pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të 2009-s, ku forca e tyre politike u shpall jofituese. Dhe për këtë arsye, duke u bazuar dhe në statutin e kësaj partie, Gjergji Koja kërkoi publikisht dorëheqjen e kreut të PSV 91-t, Petro Koçi, gjë që nuk u arrit. Në atë kohë janë zhvilluar dy mbledhje kryesie të kësaj partie, ku njëra drejtohej nga Koja dhe tjetra nga kryetari i saj Petro Koçi, tregues të qartë që marrëdhënia mes tyre ishte krisur tashmë. Një krisje kjo që u konkludua më së fundmi nga kërkesa e fundit për krijimin e një partie të re, atë të reformatorëve socialistë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›