E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lëvizja e lirë për shqiptarët, realitet nesër në mbrëmje

13/12/2010  Liberalizimi i vizave, arritja më e madhe për lirinë dhe dinjitetin e mohuar

Mëngjesin e së mërkurës, konkretisht në orën 00:01 të pas ditës së nesërme me datën 15 dhjetor 2010, hyn në fuqi vendimi zyrtar i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave. Nga kjo ditë e në vijim, qytetarët e Shqipërisë nuk do të kenë më nevojë për vizë për të udhëtuar në 25 prej shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe në 3 shtete të tjera joanëtare të BE-së, por që janë pjesë e zonës “Shengen”. Vendimi i marrë nga ministrat e Brendshëm të KE-së, i cili hyn në fuqi ditën e nesërme, shënon shndërrimin në realitet të ëndrrës më të bukur të qytetarëve shqiptarë, pasi shënon arritjen më të madhe për lirinë dhe dinjitetin e mohuar. Kjo lëvizje parashikohet të jetë për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, që kanë një pasaportë të vlefshme biometrike, dhe më pas mund të udhëtojnë pa viza në këto shtete për periudha afatshkurtra deri në 90 ditë, çdo gjashtë muaj (180 ditë), për qëllime biznesi, për studime apo për turizëm.

Rregullorja

Qytetarët shqiptarë, të cilët janë të pajisur me pasaportë biometrike, mund të qëndrojnë në zonën “Shengen” maksimumi 90 ditë, që nga dita e hyrjes brenda një periudhe kohore prej gjashtë muajsh (180 ditë). Dhe kjo periudhë fillon që nga momenti kur ju hyni për herë të parë në këtë zonë, brenda periudhës gjashtëmujore. Nëse një qytetar më 1 janar hyn për herë të parë në zonën “Shengen”, periudha e ardhshme gjashtëmujore fillon në datën 1 korrik. Gjithashtu, nëse një qytetar udhëton shpesh në zonën “Shengen”, është përgjegjësia e tij të numërojë ditët e mbetura nga periudha gjashtëmujore. Pra, çdo qytetar shqiptar mund të bëjë disa udhëtime afatshkurtra, me kushtin e vetëm që kohëzgjatja e tyre në total, të mos i kalojë 90 ditët brenda periudhës gjashtëmujore (180 ditë). Këto rregulla aplikohen për qytetarët vetëm për qëllime udhëtimi, pasi ato nuk u sigurojnë qytetarëve shqiptarë të drejtën për të jetuar më shumë se 3 muaj dhe as të drejtën për tu punësuar në këto shtete.

Hyrja

Për të hyrë në shtetin e dëshiruar, çdo qytetari i duhet të ketë pasaportën biometrike, si dhe deklarimin e qëllimit të udhëtimit, që do i paraqitet para punonjësit të kontrollit kufitar të vendit pritës. Nga ana tjetër, çdo person që kapet duke hyrë apo duke qëndruar në mënyrë të paligjshme në njërin nga vendet e “Shengenit”, do të kthehet menjëherë në Shqipëri dhe nga autoritetet e këtij vendi mund ti ndalohet hyrja në të gjitha vendet “Shengen” deri për 5 vjet.

Shtetet ku mund të udhëtohet

Rregullat e reja zbatohen në të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, përveç Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës. Britania e Madhe dhe Irlanda mbeten jashtë zonës “Shengen”, për rrjedhojë rregullat e reja nuk aplikohen në këto shtete. Qytetarët shqiptarë mund të udhëtojnë pa viza edhe në Islandë, Norvegji e Zvicër. Ndërsa vendet ku mund të udhëtohet janë: Austria, Finlanda, Letonia, Portugalia, Belgjika, Franca, Lituania, Rumania, Bullgaria, Gjermania, Luksemburgu, Sllovakia, Qiproja, Greqia, Malta, Sllovenia, Republika Çeke, Hungaria, Holanda, Spanja, Danimarka, Islanda, Norvegjia, Suedia, Estonia, Italia, Polonia, Zvicra.

Paralajmërimet e evropianëve

Frika e ripërsëritjes së precedentit ballkanas të vitit të kaluar, ku një numër i madh shtetasish të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë nuk po lejohen sot të hyjnë në asnjë nga vendet e “Shengenit” dhe po kthehen në kufi, ka bërë që pikërisht për këtë arsye disa përfaqësues të Këshillit Evropian të hedhin dhe dyshimet e tyre. Pas vendimit në deklaratën e përbashkët për shtyp, ata paralajmëruan qytetarët shqiptarë duke thënë: “Mos rrezikoni duke kaluar dhe qëndruar në mënyrë të paligjshme në asnjë vend të “Shengenit” dhe të humbisni kështu mundësinë ligjore që ju mundëson liberalizimi i vizave për të lëvizur tëëlire në të gjitha vendet “Shengen”.

PD shtyn ditëlindjen e saj

Partia më e madhe e mazhorancës, ajo Demokratike, e cila një ditë më parë mbushi 20 vjeçe, duket se i ka shtyrë ceremonitë festive në ditën e liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë. Burime brenda Partisë Demokratike bëjnë të ditur se nesër do të organizojnë një koncert festiv në godinën e ish-Pallatit të Kongreseve, i cili do të fillojë në orën 18:00. Mazhoranca, pasi nuk festoi as 8 dhjetorin, ditën e përmbysjes së regjimit komunist në Shqipëri, për shkak të përmbytjeve që kanë përfshirë pjesën dërrmuese të Qarkut të Shkodrës, ka vendosur që edhe për datëlindjen e 20-të të saj të mos organizojë ceremoni festive, duke i shtyrë ato për pasditen e së martës. Festë kjo që organizohet vetëm disa orë para hyrjes në fuqi të vendimit të marrë nga KE-ja për heqjen e regjimit të vizave për gjithë shqiptarët. Një event ky, për të cilin PD-ja organizoi një koncert madhështor në sheshin “Nënë Tereza”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›