E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjergji Muzaka: Franca? Fitohet edhe me një rast të vetëm

/* */

Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Gjergji Muzaka, autori i golit të Shqipërisë në barazimin e bujshëm 1-1 në Rumani, mendon se kundër ekipeve të mëdha, kuqezinjtë kanë treguar se janë të aftë të bëjnë ndeshje të mira.

“Pika jonë e fortë, është fakti se luajmë në fushën tonë. Kemi treguar se i kemi dalë zot çdo kundërshtari, pavarësisht nivelit të tij, edhe kur kanë ardhur skuadra të mëdha, të nivelit të Francës” – tha Muzaka gjatë konferencës për shtyp.

Shqipëria nuk humbet një ndeshje zyrtare në “Qemal Stafa”, nga 2 qershori i vitit 2009, kur humbi me Portugalinë, 2-1, pikërisht në debutimin e trajnerit Josip Kuzhe. Qysh atëhëre, Kombëtarja ka luajtur katër takime: Shqipëri-Danirmarkë 1-1, Shqipëri-Luksemburg 1-0, Shqipëri-Bosnjë 1-1 dhe Shqipëri-Bjellorusi 1-0.

“Ato kanë ndjerë vështirësi në fushën tonë. Në fushën tonë dhe kundër ekipeve të këtij niveli kemi ditur të ruajmë përqendrimin tonë gjatë 90 minutave. Me ekipe të nivelit të Francës, duke mos e zhbllokuar rezultatin shpejt mund të ndjejnë vështirësi dhe mund të tolerojnë në dy-tre momente, të cilat duhet t’i shfrytëzojmë. Futbolli fitohet edhe me një apo dy raste, ashtu sikundër nuk mund të fitohet me dhjetra raste”, - theksoi lojtari i Skënderbeut.

Muzaka tha se ekipi ka nëvojë të ruajë përqendrimin dhe organizimin taktik gjatë 90 minutave. Shqipëria fitoi 3-2 ndeshjen e fundit miqësore me Malin e Zi. “Është një ndeshje që rrit moralin tonë. Nuk duhet të fokusohemi te gjendja e një apo dy lojtarëve, por te i gjithi ekipi, te motivimi që na solli ajo ndeshje me Malin e Zi për takimin me Francën. Fitorja me Malin e Zi na bëri disi të harrojmë humbjen me Bosnjën dhe të rigjejmë motivimin me Francën. Ajo ndeshje na bëri që të rrisim entuziazmin e lojtarëve”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›