E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milan demtohet Pato

Milani ka pësuar një tronditje të re pasi Aleshandre Pato është dëmtuar edhe një herë. Braziliani delikat ndjeu probleme muskulore në këmbë gjatë stërvitjes së fundit të kuqezinjve dhe lajmet që vijnë nga infermieria nuk janë aspak shpresëdhënëse.
Ndonëse nuk ka një përgjigje zyrtare, sërish mendohet se numri 7 mund të mungojë gjatë, ndoshta deri në pushimin dimëror të kampionatit. Një fatkeqësi e vërtetë për një lojtar kaq të talentuar, të cilin dëmtimet kronike nuk po e lejojnë të shijojë atë që i pëlqen më shumë: të luajë futboll.
Kuqezinjtë kanë hyrë në kontakt menjëherë me presidentin e Xhenoas, Enriko Preciozi, për të marrë huazim sulmuesin brazilian Ze Edoardo, në mënyrë që të minimizojnë dëmet.
Ky dëmtim i ri i Patos e ka errësuar jo pak prezantimin dhe ditën e parë stërvitore të Xhampaolo Pacinit tek Milani. Ish-sulmuesi i Interit, ka nisur menjëherë punën me skuadrën e tij të re ku besohet të jetë titullar, ndërsa trajneri Alegri mund të ketë në krahë El Sharauin dhe Robinjon.
Ish-sulmuesi i Fiorentinës u largua nga Interi në kuadër të shkëmbimit që veshi zikaltër Antonio Kasanon, një shkëmbim në të cilin Milani u detyrua të paguante edhe disa milionë euro për shkak të diferencës në moshë mes dy lojtarëve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›