E Shtunë, 31 Tetor 2026

Murinjo mendon per titullin

Natyrisht që pëlqen të fitojë çdo ndeshje, çdo konkurrim ku merr pjesë. Për Zhoze Murinjon, fitorja është baraz me imazhin e tij, me respektin për vetveten, por trajneri i Realit të Madridit përpiqet të ulë presionin mbi ekipin e tij në prag të ndeshjes së parë të Superkupës së Spanjës ndaj Barcelonës.
Dy skuadrat luajnë në “Kamp Nou” këtë të enjte, ndërsa pas pak ditësh do të luhet dueli i dytë në “Bernabeu”.
“E duam Superkupën, por nuk është trofeu më i rëndësishëm i sezonit, - u shpreh portugezi, - ashtu siç theksova edhe vjet, do të firmosja me kënaqësi nëse do të më thonin ta humbas Superkupën dhe të fitoj titullin kampion. Pikërisht siç ndodhi në sezonin e kaluar”.
Barcelona e fitoi vjet Superkupën pas dy ndeshjeve tepër emocionuese, 2-2 në Madrid dhe 3-2 në “Kamp Nou”. Tashmë, takimi i parë luhet në Katalonjë pasi ekipi “blaugrana” vjen në të si fitues i Kupës.
Ndërkaq, Murinjo u ngacmua edhe për çështjen “Kaka”, pasi futbollisti brazilian është vënë në qendër të spekullimeve, i pëlqyer nga Milani, Gallatasaraji dhe Los Anxhelos Galaksi.
“Nuk kemi marrë ende asnjë ofertë konkrete për Kakanë, kështu që nuk kam ndonjë gjë të re për të thënë”, - ishin fjalët e trajnerit madrilen.
Reali barazoi 1-1 javën e parë të kampionatit spanjoll ndaj Valencias në “Bernabeu”, ndeshje ku u dëmtua edhe mbrojtësi Pepe. Nga ana e saj, Barcelona e nisi ligën me një fitore 5-1 ndaj Sociedadit në “Kamp Nou”, ku dy gola u shënuan nga Lionel Mesi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›