Gjermanët e KfW, 134 milionë euro
Zyra Rajonale e KfW-së për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë pritet të marrë një status të ri në drejtim të rritjes së financimit për projektet e këtyre vendeve. Zyra që do të inaugurohet sot në Tiranë e ka nisur bashkëpunimin me qeverinë shqiptare që në 1988, duke akorduar rreth 134 milionë euro financime për zhvillimin e sektorëve të ndryshëm, kryesisht në energjetikë dhe ujësjellës-kanalizime. Gjatë ceremonisë së inaugurimit, KfW dhe OST sh.a., me miratimin e Ministrisë së Financave, do të nënshkruhen dy marrëveshje financimi për shërbime ekspertize për "Linjën e Transmetimit 400 kV Tiranë Prishtinë/Kosovë" dhe "Unaza 110-kV për Jugun e Shqipërisë". Granti do të mundësojë OST-në të përshpejtojë fillimin e zbatimit të projektit, i cili synon zgjerimin e kapacitetit të transmetimit në linjën ndërkufitare Shqipëri-Kosovë të tensionit të lartë, duke shtuar një linjë 400 kV dhe në përputhje me këtë duke rritur kapacitetin transformues dhe shpërndarës të sistemit të furnizimit me energji në jug të Shqipërisë. Qeveria gjermane ka angazhuar një shumë totale prej 430 milionë eurosh për projekte investimesh në të gjithë Shqipërinë, duke përfshirë aty 134 milionë euro të angazhuara nga fondet e veta të KfW-së.