Qeveria heq dorë nga aksionet te privatët
Qeveria vendos të privatizojë çdo kompani. Kryeministri Berisha deklaroi në mbledhjen e djeshme të qeverisë se ka vendosur që të shesë aksionet që kontrollojnë ende kompaninë celulare AMC. Vendimi i qeverisë lidhet me privatizimin e të gjitha sipërmarrjeve publike. Duke theksuar faktin se kompanitë private ofrojnë garanci më të mëdha për zhvillim, Kryeministri premtoi transparencë të plotë të qeverisë gjatë të gjitha procedurave të të gjitha aseteve të fundit shtetërore që kanë mbetur pa shitur, ndërsa qeveria e tij ka hyrë në muajt e fundit të mandatit. "Do të privatizohen në mënyrë transparente aksionet që qeveria ka në sipërmarrje e kompani të ndryshme", tha Berisha. Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për shitjen e aksioneve shtetërore në kompaninë e telefonisë celulare, AMC. Kryeministri Berisha theksoi se qeveria, në kuadrin e politikave të privatizimit, është e vendosur të heqë dorë, nëpërmjet proceseve ligjore transparente, nga pronësitë e sipërmarrjet që duhet të privatizohen dhe nga ajo çka ka mbetur nga privatizimi. "Shitja e aksioneve që qeveria ka në AMC duhet të shoqërohet me shitjen në mënyrë transparente të aksioneve në të gjitha sipërmarrjet ku ne jemi aksionerë", tha ai. Kryeministri Berisha theksoi se ligji që përcakton në një masë të caktuar detyrimin shtetëror për të qenë aksionere, tashmë është i tejkaluar. "Fryma e këtij ligji u diktua nga përdorimi i mendësisë publike, mendësi e cila tashmë është e tejkaluar. Nuk ka sektor ekonomik në vend, në të cilin sektori privat të jetë më i avancuar. Deri më sot kanë mbetur të tilla pikat, shtyllat e tensionit, aksionet dhe puset e naftës", shtoi Berisha. Duke e vlerësuar të suksesshëm procesin e privatizimit, Kryeministri Berisha tha se këtij procesi do t‘i nënshtrohen edhe aksionet që qeveria ka në kompani dhe sipërmarrje të ndryshme pas privatizimit të tyre, duke përmbushur në këtë mënyrë zotimin për realizimin e një procesi transparent të privatizimit të sipërmarrjeve publike. "Privatizimet kanë qenë plotësisht të suksesshme dhe kanë tejkaluar parashikimet në suksesin e tyre. Shpresojmë që edhe INSIG-u, për të cilin është hapur tenderi ndërkombëtar dhe kanë treguar interes të veçantë 8-12 kompani, do të privatizohet brenda vitit dhe po kështu aksionet e AMC-së, më pas aksionet e Telekom-it dhe të ARMO-s", tha shefi i qeverisë. Sipas tij, qeveria nuk dëshiron të jetë aksionere. "Ajo ka mision e detyra të tjera. Në këtë kontekst ne realizojmë me sukses të plotë një prej premtimeve më madhore në fushën ekonomike, premtimin e privatizimit transparent të sipërmarrjeve publike", u shpreh Berisha. Kryeministri u fokusua edhe te dhënia me koncesion e disa veprave të mëdha publike që, sipas tij, do të siguronin investime nga gjysmë deri në 1 miliard euro, ndër të cilat kaskada e Vjosës dhe hidrocentrali i Skavicës. Në këtë kuadër, Berisha shpalosi edhe njëherë projektin e qeverisë në fushën energjetike. "Ne duam që ky vend të shndërrohet në një superfuqi të vogël energjetike. Ambicia jonë është që Shqipëria të jetë vend prodhues i energjisë", u shpreh Berisha.