E Shtunë, 31 Tetor 2026

Privatizimi i ARMO-s mbërrin te Konkurrenca

Privatizimi i ARMO-s ka mbërritur për shqyrtim pranë Autoritetit të Konkurrencës, i cili duhet të japë aprovimin nëse shitja e aksioneve krijon situata monopoli. Kërkesa është paraqitur nga shoqëria AMRA OIL, koncesionari që fitoi të drejtën e blerjes së 85 për qind të aksioneve me një vlerë prej 128 milionë eurosh. Ky përqendrim i propozuar ka si objekt përftimin e kontrollit nëpërmjet shitblerjes së 85% të kapitalit aksionar me të drejtë vote në shoqërinë ARMO sh.a., nga shoqëria e përbashkët AMRA OIL sh.a. "Nga vlerësimi paraprak juridik dhe ekonomik i këtij përqendrimi rezulton se mund të kemi tregje të prekura për shkak se realizimi i transaksionit mund të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në tregun shqiptar të karburanteve për sa i përket tregtimit të naftës dhe nënprodukteve të saj", shprehen burime zyrtare pranë autoritetit. Për këto arsye, Autoriteti i Konkurrencës ka kërkuar nga pala blerëse plotësimin e formularit të plotë të njoftimit të përqendrimit. Në këtë mënyrë, Autoriteti po e shqyrton këtë transaksion vetëm në kuptim të ligjit 9121, "Për Mbrojtjen e Konkurrencës", në bazë të neneve 10-17 dhe neneve 53-64 të këtij ligji, ndërsa vendimi pritet të merret shumë shpejt.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›