E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermanët optimistë:Fitojmë edhe pa Balak

BERLIN- Gjermanët besojnë se do të tregojnë një formë të mirë këtë botëror, ndonëse kanë disa futbollistë të dëmtuar. Për ndeshjen e parë ndaj Australisë, trajneri Joakim Lëv ka vendosur që në qendër të mbrojtjes të jenë Arne Fridrih e Per Mertesaker. Fridrih luan me Hertën e Berlinit në Gjermani dhe pas një sezoni zhgënjyes, ai thotë se nuk e priste që Lëv ta grumbullonte për në Kupën e Botës. “Ka gjithnjë konkurrencë mes lojtarëve, por mendoj se ne kemi një skuadër të balancuar, - tha mbrojtësi gjerman. – Me humbjen e Mikael Balak tani ka futbollistë të tjerë që duan të tregojnë se kanë talent për të luajtur në vend të tij”, shtoi Fridrih.
Ndërkohë, Per Mertesaker është shprehur entuziast për sulmin gjerman, sidomos për Miroslav Klose i cili u shpall kryegolshënues në Botërorin e vitit 2006. “Jemi të përqendruar në ndeshjen e parë me Australinë, pasi duam ta arrijmë sa më shpejt kualifikimin për në turin tjetër, - tha mbrojtësi i Realit të Madridit. – Nëse humbim me Australinë pastaj gjërat bëhen shumë të vështira”, shtoi ai. Gjermania është një nga skuadrat më të reja të Botërorit, ndërsa ndodhet në një grup të vështirë me Australinë, Serbinë dhe Ganën. Përpos kësaj, gjermanët kanë treguar një formë të mirë në ndeshjet miqësore, megjithëse nuk do të kenë liderin e tyre, kapitenin Mikael Balak.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›