E Diel, 1 Nëntor 2026

Kombëtarja fiton ndeshjen e katërt radhazi nën drejtimin e trajnerit Josip Kuzhe Shqipëria “mishëron” uzbekët Raste të shpërdoruara, ndërsa fitorja vjen nga goli i Salihit

Një Shqipëri mishëruese mund të përkufizohet ajo e mbrëmjes së djeshme në “Niko Dovana” të qytetit të Durrësit. Vendosi një gol i Hamdi Salihit, duke mos prishur kështu traditën e fitoreve minimale (e katërta radhazi me rezultatin 1-0).

Lojë e bukur, sidomos në pjesën e parë, raste të shumta për shënim të shpërdoruara me shumicë nga Bogdani dhe Salihi si dhe një mbrojtje gati e papaunë, pasi aziatikët nuk panë shumë nga sulmi sesa nga mbrojtja e tyre. Gjithsesi Beqaj, i rikthyer në Kombëtare pas shumë kohësh, u vu dy-tri herë në provë si për të treguar se portieri i dikurshëm, ai i sigurisë, ka mbërritur sërish në ekipin përfaqësues. Stonoi pak loja e mesfushorëve sidomos e atyre që nuk kanë zhvilluar një fazë përgatitore të rregullt si Duro, Bulku e Bylykbashi, kjo edhe për faktin se janë ende pa skuadra. Ndërsa shkëlqeu Gjergji Muzaka. Mesfushori i Dinamos ka zhvilluar absolutisht një nga ndeshjet e tij më të mira jo vetëm në ekipin përfaqësues.
Goli - Fitorja ishte fryt i një goli të realizuar thjesht e pastër nga i zakonshmi Hamdi Salihi në minutën e 14-të (asist i mrekullueshëm i Ansi Agollit, pas pasimit të Ervin Bulkut). Për sulmuesin e Rapidit të Vjenës ky ishte goli i tretë rresht në tri ndeshjet e fundit miqësore të Kombëtares dhe i pesti i tij me përfaqësuesen. Veç Salihit edhe Bogdani, pati rastet e tij, madje me shumicë, por sulmuesi më i ri i çezenës në kampionatin italian të futbollit ca për paaftësi, ca edhe për zotësi të portierit uzbek nuk mundi që të kapë Skelën në renditjen e golashënuesve më të mirë të Kombëtares (13 gola). Uzbekistani u pa për herë të parë te porta e kuqezinjve në minutën e 27-të, kur ekzekutuan rrezikshëm një goditje të lirë, por veterani Arjan Beqaj reflektoi shpejt, duke e grushtuar me siguri sferën. Më pas deri në vërshëllimën e fundit të pjesës së parë kemi vetëm sulme të njëpasnjëshme të Shqipërisë. Ansi Agolli dha një pasim të bukur për Bogdanin, por pa mundur të shënonte dhe vetëm dy minuta më pas Salihi kombinoi saktë me Klodian Duro, ky i fundit me Agollin, i cili nga e majta e sulmit tonë ftoi Salihin para portës, por sulmuesi goditi jashtë kuadratit.
Epilogu - Pjesa e dytë nisi me të njëjtin vrull të kuqezinjve, të mbështetur nga rreth 5 mijë tifozë, kryesisht kosovarë, që po kalojnë pushimet në qytetin bregdetar. Nga minuta e 55-të Kuzhe nisi rotacionet, duke hedhur në fushë me radhë Andi Lilën, Jahmir Hykën, Bylykbashin, Bakajn, Vilën, Kapllanin dhe duke lënë të vetëm në pankinë pa një minutë në këtë ndeshje, portierin zëvendësues, Isli Hidi. Fraksioni i dytë i lojës ishte më i qetë dhe vetëm dy shpërthime tipike të Hykës, por si gjithnjë pa rezultat, “nxehën” disi atmosferën në stadium. Rasti i fundit i takimit i përket Elis Bakajt (92’), i cili goditi fuqishëm nga jashtë zonës, por portieri uzbekas e grushtoi topin. Testi kundër Uzbekistanit u dha fund përgatitjeve të gjata të Shqipërisë përpara se ajo të nisë fushatën e vështirë kualifikuese të Euro 2012.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›