Problematiku Feniks, edhe Bylis e largon
Ballshiotët i kanë thënë “jo” të prerë futbollistit anglez Xhejms Feniks. Këtë e ka pohuar ditën e djeshme trajneri i Bylisit, Ilir Spahiu. “E dinim se ky lojtar ka qenë problematik te Vllaznia, ku luajti sezonin e kaluar, por megjithatë besuam se do të ndryshonte në këtë sezon, pasi donim ta kishim në ekipin tonë duke ia ditur vlerat. Por nuk rezultoi kështu, pasi ai ende pa shkelur tek ekipi ynë nuk u tregua aspak korrekt. Drejtuesit tanë i prenë biletën e ardhjes, por ai pa asnjë shkak e ka shtyrë nisjen. Ne nuk kemi kohë të presim dhe të luajmë me disiplinën e korrektësinë e këtij lojtari, pasi nuk mund ta presim asnjë ditë më shumë, sepse jemi përpara fillimit të kampionatit. Ndaj dhe u detyruam që t’i thoshim ‘jo’ atij”, ka shpjeguar tekniku Ilir Spahiu.