E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermani 1960, Shqipëri 2008

Kur u ngjit në skenën shqiptare "Fernando Krafi më ka shkruar këtë letër", u shndërrua sakaq në ngjarje. Qenë bërë bashkë asokohe, në mes të viteve ‘90, vepra dhe autori i saj, Tankret Dorsti, përkthimi në shqip që mbante vulën e një emri të madh si Robert Shvarc, koncepti regjisorial i Gëzim Kames dhe padyshim protagonistët, interpretuesit më në zë të skenës shqiptare, Yllka Mujo dhe Ndriçim Xhepa. Kësisoj suksesi nuk mund të mos ishte i paralajmëruar. Historia e Julias dhe Fernandos nuk mund të mos ngulitej në kujtesën e të pasionuarve të teatrit dhe rikthimi i Tankred Dorstit në skenën shqiptare nuk mund të mos mbështillet nga nostalgjia e pjesës së tij të parë në shqip.

Kësaj here bëhet fjalë për "Kthesën", e cila do ta ketë premierën sonte në mbrëmje. Edhe pse, duke qenë e parë e autori, nuk nënkupton një kulminacion individual, "Kthesa" shënon gjithsesi një subjekt tejet intrigues: Kastriot Cipi, më së shumti i njohur si regjisor, e kish zgjedhur ta përkthente vite më parë, dhe ajo çka e kish bërë për vete atë ishte pikërisht subjekti që i shkonte aq mirë atmosferës shqiptare të viteve të pafundme të tranzicionit: Një ministër (i Gjermanisë së viteve ‘50) që nuk lëviz gishtin për të ndrequr kthesën problematike në një rrugë periferike, një biznesmen që bën "tregti" me vdekjen dhe një idealist që i drejton ndërdyshas peticione ministrit… derisa, për vdekjen e këtij të fundit bëhet shkak pikërisht kthesa…

Kastriot Cipi sjell ndërmend një përkim të çuditshëm situatash. Sapo kish mbyllur faqen e fundit të dramës "Kthesa", tashmë në shqip, të përkthyer nga ai vetë, dhe një takim i rastësishëm me një ish-ministër bëhet shkak për të hapur bisedën për një segment rrugor, për të cilin, ministri në fjalë, nuk kishte bërë asnjë përpjekje për ta ndrequr. Ishte një segment rrugor problematik… Pak kohë më pas, pikërisht në atë "kthesë", ministri tashmë shqiptar, bëri aksident…

Por ndërkaq jemi në skenë, edhe pse arti dhe realiteti nuk mund të jenë krejt pa pika përkimi. Por cili është komenti i Mikel Kalemit, regjisorit të dramës "Kthesa", që do të interpretohet nga Saimir Braho, Anastas Nika dhe Gentian Zenelaj…

Pse kjo zgjedhje? Pse pikërisht Tankred Dorst dhe pse pikërisht "Kthesa"?

"Kthesa" është një dramë shumë interesante. Por përveç kësaj ka një përkim situatash: Autori e ka shkruar në vitin 1960 dhe bën një pasqyrë të gjendjes social-politike të vendit të tij prej pak kohësh të dalë nga lufta. Dhe Gjermania e asaj kohe ngjan aq shumë me Shqipërinë aktuale. Por edhe përtej kësaj, në sekuenca të caktuara mund të bëhen përkime mes aktualitetit shqiptar dhe pjesës që ne po vëmë në skenë. Ka detaje në dukje të vogla, aq sa të krijohet përshtypja sikur në vënien tonë në skenë kemi bërë një lloj profecie… Ndoshta vetë spektatori do të dijë t‘i gjejë a zbulojë këto përkime apo këtë lloj profecie kur ta shohë shfaqjen.

Tankred Dorst vjen për herë të dytë në skenën shqiptare. Hera e parë, nëpërmjet veprës: "Fernando Krafi më ka shkruar këtë letër", rezultoi një sukses. A mendoni se ky do të jetë një ogur i mirë për "Kthesën"?

Le të shpresojmë. "Kthesa" është një pjesë po aq e mirë sa edhe "Fernando Krafi…", edhe pse në thelb ndryshojnë shumë njëra nga tjetra.

Sakaq, dy nga pjesët e projektit të të rinjve, ku përfshihet edhe vënia në skenë e "Kthesës", të cilat do të konsiderohen më të mirat, do të vazhdojnë të vihen në skenë në Teatrin Kombëtar. Le të shpresojmë që mes të tjerave të ndikojë edhe emri i mirë i Tankerd Dorsit, apo suksesi i herës së parë të tij në Shqipëri, që një nga pjesët e zgjedhura për t‘u ringjitur në skenë të jetë "Kthesa".

A mund të flisni për zgjedhjen e aktorëve?

Le ta fillojmë nga Anastas Nika. Është një aktor nga Saranda të cilin unë e njoh shumë herët, kemi punuar bashkë dhe isha i bindur që në fillim se ishte aktori i duhur për të interpretuar ministrin e Transporteve të Dorstit. Jo më pak isha i bindur për dy aktorët e tjerë…

Jemi mësuar që Gentian Zenelajn ta shohim në interpretime komike…

Ai është gjithashtu një aktor shumë i mirë dramatik. Kam punuar me të, për pjesën e Sartrit, "Me dyer të mbyllura" dhe e kam vlerësuar lojën tij. Por ai ka pasur edhe role të tjera dramatike të arrira.

Do t‘i referohem "shënimit të regjisorit" që ju keni bërë në katalogun shoqërues të dramës. Shkruani: "Është kaq prezente problematika që paraqet kjo vepër. Na kujton se ku arrijmë kur shpërfillim çdo gjë që na rrethon në përpjekjen drejt ‘progresit tonë‘, shpërfillim ata dy sy që na vështrojnë lart…". Nënkupton kjo se jeni besimtar?

Po.

Që do të thotë praktikant?

Nuk ka rëndësi kjo. E rëndësishme është që unë besoj dhe besimi më ka ndryshuar jetën.

Nëse do t‘i referohesha veprimtarisë suaj të deritanishme si regjisor, vë re se dy shfaqjet me të cilat ju jeni paraqitur deri tani janë nga antikiteti grek: "Antigona" e Sofokliut dhe "Medea" e Euripidit. Keni ndonjë prirje ndaj antikitetit? Apo thjesht rastësi.

Është zhanri im i preferuar, edhe pse i vështirë. Mbaj gjithnjë kontakte të rregullta, i ndjek shfaqjet antike që vihen në skenat greke, duke e vlerësuar përvojën e vendit që është edhe djepi i teatrit antik.

Ǒështë për ju të qenit regjisor? Pse e keni zgjedhur këtë profesion?

Në kohën e studimeve të mia të mesme, unë angazhohesha intensivisht me jetën artistike të Sarandës, qytetit ku kam lindur. Aktroja, luaja në kitarë, por edhe organizoja. Dhe mendoj se kjo periudhë intensive ndikoi në zgjedhjen time profesionale. Në një bisedë me mikun tim, që luan edhe te "Kthesa", Anastas Nikën, ai më nxiti të zgjidhja regjinë si degë studimesh. Ai besonte në aftësitë e mia organizative. Tani them se ka qenë një zgjedhje e mirë. Është profesioni që mund dhe duhet të bëj.

PROTAGONISTET

Saimir Braho

Aktualiteti i dramës "Kthesa" shkon kaq në ekstrem, sa që të duket sikur detajet në këtë vepër janë shtuar enkas. Por ju do ta shikoni vetë se në vepër gjithçka përputhet kaq mirë me realitetin, sa keni për të mbetur të habitur.

Ndryshimi i vetëm mes personazhit tim dhe një shqiptari të viteve të tranzicionit është bekgraundi kulturor, sepse ana ekonomike dhe nevoja për të mbijetuar janë po njësoj me ato që kanë ndodhur në vendin tonë.

Anastas Nika

I shikoj të tilla bashkëpunime si shumë të rëndësishme. Këta i quajnë "teatri i të rinjve", por për mua është teatri i miqve. Uroj që Teatri Kombëtar, por jo vetëm ai, të ketë sa më shumë miq.

Kush është…

Dramaturgu gjerman, Tankred Dorst, lindi në 19 dhjetor të vitit 1952. Lufta ia ndërpreu studimet në mes dhe ai u rekrutua në ushtrinë gjermane. U zu dhe u mbajt i burgosur nga anglo-amerikanët deri në vitin 1947.

Pas lufte u rikthehet studimeve për letërsi gjermane, histori arti dhe teatër.

Ai është konsideruar si një nga dramaturgët më të rëndësishëm gjermanë dhe është fitues i shumë çmimeve. Për të thuhet se është shoqërues perfekt i kohës.

Në disa prej veprave të tij ai është frymëzuar nga teatri absurd i Joneskos dhe Beketit edhe pse nuk i takon kësaj rryme.

Përveç teatrit, Tankred Dorst është angazhuar me filmin, radion si dhe botimet. Aktualisht jeton dhe punon në Mynih.

Në skenën shqiptare, në 1996, është ngjitur pjesa e tij "Fernando Krafi më ka shkruar këtë letër", ndërsa "Kthesa" shënon takimin e tij të dytë me publikun shqiptar të teatrit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›