Komisioni hetimor, PD mbledh firmat
TIRANË- Përpos thirrjeve të ndërkombëtarëve, mendimit të juristëve apo edhe situatës delikate së krijuar mes qeverisë dhe organit të akuzës, Partia Demokratike ka vendosur që ti shkojë deri në fund nismës për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar, të paralajmëruar pak ditë më parë nga kryeministri Sali Berisha. Kryetari i grupit parlamentar i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, ka deklaruar dje se qeveria Berisha nuk do të humbasë kohë për të ngritur Komisionin Parlamentar që do të hetojë marrëdhëniet mes Prokurorisë, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme në adresë të shtetasit Damir Fazlliç. Hetimi parlamentar i shpallur disa ditë më parë nga vet Kryeministri i vendit, sipas Patozit, do të konsistojë në hetimin për sjelljene këtyre tre institucioneve dhe jo hetimi e çështjes “Fazlliç” pasi kjo e fundit do të hetohet nga prokuroria. ”Ajo që kemi kërkuar ne, është raporti ndërinstitucional dhe ky do të jetë objekti i hetimit”- tha Patozi. Kryetari i deputetëve demokratë paralajmëroi se kësaj nisme do ti shkohet deri në fund, pavarësisht se, sipas tij, Partia Socialiste, nxjerr një pengesë kushtetuese për të pranuar një hetim të tillë parlamentar. Për këtë arsye, gjatë fjalës së tij, Patozi ftoi opozitën të bëhet pjesë e këtijkomisioni, qoftë edhe për të verifikuar akuzat e saj, se qeveria cenoi pavarësinë e prokurorisë në rastin e çështjes “Fazlliç”.