Mustafaj: PD të mos merret me beteja absurde
TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Besnik Mustafaj është ndër të paktët në PD që e sheh në një optikë krejt tjetër përplasjen e fundit qeveri-prokurori. Pas deklaratave boshe të një pjese të konsiderueshme të mazhorancës lidhur me çështjen “Fazlliç”, deputeti i Partisë Demokratike, Besnik Mustafaj deklaroi dje se PD nuk mund ti lejojë vetes të konsumojë energji dhe imazh në beteja krejt absurde. “Konflikti i ditëve të fundit mes qeverisë dhe Prokurorisë është një ngjarje e rëndë dhe që do analizuar me shumë kujdes si nga klasa jonë politike ashtu edhe nga trupajonë juridike. Një gjë është e sigurt: nga një duel i tillë nuk ka të fituar. Ka vetëm të humbur. Dhe humbësi më i madh është shteti ynë i cili, edhe pa tensione të tilla, mbetet ende i brishtë në raport me standardet e demokracisë. Partia Demokratike, si forca politike transformuese e Shqipërisë, dhe themeluesja e shtetit ligjor postkomunist, nuk mund t’i lejojë vetes të konsumojë energji dhe imazh në beteja absurde dhe, për më keq, kundër-produktive në lidhje me zgjedhjet e ardhshme, të cilat kjo parti duhet t’i fitojë”,- tha dje Mustafaj. Ai theksoi se Partia Demokratike nuk mund të ndjehet e qetë duke parë shqetësimin që ky duel ka ngjallur, si në opinionin publiktë vendit, ashtu edhe tek miqtë e Shqipërisë që janë SHBA dhe Bashkimi Europian. “Unë e mirëkuptoj shqetësimin dashamirës të këtyre miqve dhe i falenderoj për vëmendjen me të cilën ata e shoqërojnëprocesin e forcimit të demokracisë në vendin tonë. Si anëtar i mazhorancës parlamentare, e ndjej për detyrë t’i siguroj se asgjë dhe askush nuk mund t’i pengojë reformat e ndërmarra në emër të modernizimit të vendit dhe të integrimit të tij në NATO dhe në BE”, -tha ai. Për sa më sipër, deputeti i Partisë Demokratike e konsideroi të arsyeshme që ti drejtohet Presidentit të Republikës me thirrjen që të ushtrojë kompetencat e tij si kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për të siguruar uljen e këtij tensioni, që sipas tij, ”do të thotë, të mbështesë edhe pavarësinë e Prokurorisë, në përputhje me kushtetutën,dhe të ushtrojë kontroll që Prokuroria ta kryejë me paanësi detyrën e vet”. I pyetur nëse mesazhet e ardhura ditët e fundit nga ndërkombëtarët janë kuptuar drejt nga Kryeministri Berisha dhe dy ministrat, ai i drejtësisë dhe ai i brendshëm, Mustafaj u përgjigj: “Unë kam besim se z.Berisha, si një politikan me përvojë të gjatë, do t’i lexojë këto mesazhe të ardhura nga Uashingtoni dhe Brukseli me dashamirësinë, që ato meritojnë. Kryerja e reformave kërkon qetësi dhe vetëm qetësi”.