E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për atë çka dhuna lë pas

Kur për herë të parë i ra në dorë skenari i veprës "Knepp", Eglantina Cenomeri ishte ende studente në Akademinë e Arteve, për regjisurë. Filloi ta donte menjëherë këtë vepër, për shumë arsye... e para, sepse diku takohej edhe me historinë e vendit të saj, e dyta, sepse rrëfente historinë e një gruaje, dramën e saj, sakrificën e saj... brishtësinë e deri edhe çmendurinë e saj... tipare të cilat regjisores se ardhshme nuk mund të mos i nguliteshin në nënvetëdije, ngaqë e intrigonin padyshim. Të qenit femër ishte një arsye jo e paktë për t‘u përfshirë më lehtësisht brenda mendësisë së seksit të dobët e rrjedhimisht brenda logjikës së pjesës. Asokohe, thjesht i mbajti brenda vetes impresionet. Do të priste...

Më parë në skenë

Pas diplomimit të saj, me të marrë titullin e regjisores, në vitin 2006, do ta shihte veten në skenë. Por, pozicioni i saj do të ishte ai i aktores. "Medea", "Trojanet", apo "Dasmë qyteti", do të ishin veprat, ku ajo do ta gjente veten me një rol. Por ishte regjisore, dhe herët a vonë do të vinte dita kur ta gjendej në pozicionin e saj të vërtetë. Ndërkaq, është fare afër finalizimit, testin e parë e ka kaluar.

Përballja

Modeste, Eglantina Cenomeri e shikon disi të vështirë përballjen me publikun. Por, jo të pamundur. Tek e fundit, ajo e di: do të japë maksimumin e saj. Hë për hë, është vetëm në krye të rrugës nëpër të cilën do të ecë më pas.

Në të vërtetë, do të kish dashur të punonte me aktorë të mëdhenj. "Për mua, një regjisor i ri e ka të nevojshme të punojë me aktorë të mëdhenj, në mënyrë që të ketë se çfarë të marrë prej tyre". Sigurisht, ky është një përfitim i madh. Por, për momentin, së paku me projektin në fjalë i duhet të kapet fort pas madhështisë së autorit, pasi Jorge Godenberg është një autor i madh në vendin e tij, Argjentinë. I duhet të kapet fort pas madhështisë së veprës, mundësisë që i ofron ajo. Sepse, siç thotë edhe vetë: është një vepër dritëruese, njerëzore.

Paralele

Por, ka edhe më. "Vepra është shumë aktuale për vendin tonë, për atë që vendi ynë ka kaluar gjatë diktaturës komuniste, pasojat e së cilës ne ende vazhdojmë t‘i vuajmë. Sepse "Knepp", rrëfen për atë se çfarë dhuna lë pas. Në vepër nuk ka ngjarje, ka pasoja. Aty përballesh me tmerrin e pafund të vuajtjes së njerëzve, ka lidhje edhe me luftën e Kosovës".

Lexime dhe rilexime

Por nuk do të ishte e mjaftueshme për regjisoren e re vetëm kaq. Të qenit një dramë psikologjike e ka ngacmuar ndjeshëm atë.

Nuk e ka lexuar, e ka rilexuar dhe rilexuar. Pasi: "Knepp" është nga ato drama që sa më shumë ta lexosh, aq më shumë fillon ta duash, sepse ajo prek në thelb të gjitha anët njerëzore me gjithë problemet e saj".

TITULLI Knepp

AUTORI Jorge Godenberg

REGJIA Eglantina Cenomeri

NE ROLE Rozana Kostani, Saimir Sina, Gjergj Mena, Violeta Banushi e Elidon Alika

SKENOGRAFIA Edlira Qyshka

Për veten:

"Jam diplomuar në 2006 për regjisurë. Që e vogël jam marrë me art, jam marrë me balet, kam studiuar për pesë vite flaut e gjithnjë më ka tërhequr ana artistike. Regjistra më pëlqen, ka qenë një preferencë e imja. Zakonisht unë shikoj, kontrolloj dhe vlerësoj gjithçka. Më bën kurioze gjithçka dhe dua të marr pak nga të gjitha. Mendoj se për të rinjtë duhen hapësira patjetër, sepse ky i yni, është një profesion që funksionon në komunitet nuk është individual, ndaj mendoj se mirëfunksionimi është një problem institucional".

Me pak fjalë...

Argjentinë. Grushti i shtetit 1976… Shumë të rinj u rebeluan, e për pasojë nisën përleshjet. Pati presion, arrestime, pushkatime dhe zhdukje të personave... 30 mijë... U mbajtën në kampe përqendrimi, u torturuan, u masakruan dhe u vranë, u zhdukën në mënyrë të fshehtë... Jorge Goldenberg, kthen vëmendjen, nëpërmjet "Knepp" ndaj një tragjedie të dhimbshme, pikërisht ndaj kohës së "Desaparecidos", "të zhdukurve". Protagonisti i dramës, Knepp, simbolizon fizionominë e akullt të diktatoreve dhe Maria Elena personifikon pjesën e vuajtjes. Ajo është e dhunuar psikologjikisht. I shoqi është një prej të zhdukurve në mënyrë të mistershme prej diktaturës. Maria Elena vuan frikën, tmerrin, pamundësinë për të vepruar... Në këtë gjendje, ajo nis të jetojë në një tjetër realitet, duke jetuar në trysninë e Knepp-it, i cili në të vërtetë nuk ekziston. Por, persona si ai kishin thelluar rrënjët kudo dhe ky fakt krijon te Maria Elena një psikozë që e bën atë ta ndërtojë figurën e Knepp brenda ambientit ku jeton...



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›