E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjermani-Argjentinë ndër miqësoret më të fuqishme të së mërkurës

BERLIN- Një nga ndeshjet miqësore më të forta që do të luhet të mërkurën në mbrëmje është ajo mes Gjermanisë dhe Argjentinës, në Mynih. Skuadra e drejtuar nga Diego Armando Maradona rikthehet në stadiumin “Allianz Arena”, ku 4 vjet më parë u eliminua me penallti në çerekfinalet e Kupës së Botës nga Gjermania e drejtuar atëherë nga Jurgen Klinsman dhe Joakim Lëv. Maradona deklaroi përpara kësaj sfide se kombëtarja gjermane është gjithnjë një kockë mjaft e fortë për kundërshtarët, duke vlerësuar sidomos Mikael Balak dhe Lukas Podolski. Ai ka luajtur dy finale botërori ndaj Gjermanisë dhe nisur nga kjo, ka kërkuar që futbollistët të kenë shumë respekt për këtë skuadër, që sipas tij nuk dorëzohet deri në çastet e fundit.

Në krahun tjetër, përfaqësuesja gjermane kërkon të bëjë një figurë të mirë përballë tifozëve të saj dhe trajneri Joakim Lëv e ka quajtur si ndeshje të vërtetë atë përballë Argjentinës. Gjermania nuk ka futbollistë me talentin e Mesit, por kjo skuadër ka qenë gjithnjë tepër e vështirë për t’u kaluar nga argjentinasit gjatë eliminatoreve të Botërorit. Ndeshja Gjermani-Argjentinë do të luhet në orën 20.45 dhe do të jetë një test i vërtetë për këto dy kombëtare përpara fillimit të Kupës së Botës.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›