Të mërkurën miqësorja Itali-Kamerun
ROME- Italia do të luajë të mërkurën ndaj Kamerunit të Samuel Eto, në një miqësore tepër të vështirë për skuadrën e drejtuar nga Marçelo Lipi. Të kaltërit janë kampionët e botës në fuqi dhe në qershor u duhet të mbrojnë titullin në Afrikën e Jugut. Përpara kësaj sfide, trajneri Marçelo Lipi ka bërë të ditur se Alesandro Nesta i ka thënë “jo” ekipit kombëtar, ndërsa për Mario Balotelin, u shpreh se ai është e ardhmja e përfaqësueses. Lipi u shpreh gjithashtu se tashmë e ka përcaktuar numrin më të madh të futbollistëve që do të thërrasë në Kupën e Botës. “Kam folur me 17, 18 lojtarë që do të jenë me siguri me Botëror. Për pjesën e mbetur më duhet të vlerësoj ndeshje pas ndeshje në Serinë A dhe në Kupat e Evropës. Pastaj, në muajin maj do të marr edhe vendimet finale”, deklaroi Lipi. Ai u bëri një paralajmërim futbollistëve se nuk do të thërrasë asnjërin që nuk është në formë të mirë.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)