“Skandali Terri” Kapelo futbollistëve: Kujdes me jetën private
LONDER- Trajneri i Anglisë Fabio Kapelo këmbëngul se problemet jashtë fushe të lindura pas skandalit Xhon Terri nuk do të ndikojnë në formën e kombëtares angleze. Të mërkurën, Anglia do të presë në Uembli Egjiptin, skuadrën kampione të Afrikës. Kapelo bëri të ditur para mediave se ai ka folur me futbollistët që të jenë më të kujdesshëm me jetën e tyre provate. “Po, fola me futbollistët. U thashë atyre se duhet të rikrijojnë grupin dhe se duhet të jenë të fokusuar në stërvitje, por të jenë të rregullt edhe në jetën jashtë futbollit”, deklaroi Kapelo në një konferencë për shtyp. Ai u kërkoi gjithashtu tifozëve anglezë që të mos fishkëllejnë kapitenin Xhon Terri, i cili tradhtoi mikun e tij të ngushtë, Uejn Brixh, duke kryer raporte seksuale për muaj me radhë me ish-të fejuarën e tij. Ndërkohë, mesfushori Stiven Xherard ka falënderuar tifozët për mbështetjen që i kanë dhënë Anglisë gjatë kësaj kohe. “Tifozët tanë kanë qenë fantastikë gjatë ndeshjeve eliminatore dhe shpresoj që në Botëror të jetë e njëjta atmosferë”, deklaroi futbollisti i Liverpulit. Kapelo ndërkohë vlerësoi ekipin egjiptian, që ka fituar tre edicionet e fundit të Kupës së Afrikës. Ai e quajti këtë ndeshje si mjaft të rrezikshme, pasi Egjipti është një skuadër e mirëorganizuar.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)