Gjermani, ashpërsohen procedurat për marrjen e nënshtetësisë
Shuma që duhet të paguajë secili për të marrë nënshtetësinë gjermane është 255 euro, por tashmë vetëm kjo nuk mjafton. Ai që do të marrë nënshtetësinë duhet të ketë qëndruar tetë vjet në Gjermani, nuk duhet të jetë dënuar asnjëherë, duhet të flasë mjaftueshëm gjuhën e këtij vendi dhe të pranojë kushtetutën gjermane. Pas shtatorit të vitit 2008, kandidatët për marrjen e nënshtetësisë gjermane duhet të japin edhe një provim i cili është tashmë pjesë e vendeve të tjera me përvoja klasike emigrantësh. Marrja e vendimit për testin ka shkaktuar reaksione të ndryshme. Ky test përfshin 33 pyetje dhe për të kaluar provën kandidati duhet tu përgjigjet saktë të paktën 17 pyetjeve.
Pyetjet kanë të bëjnë me politikën, historinë dhe shoqërinë gjermane. Projektin e këtyre pyetjeve e ka kritikuar opozita gjermane e cila është shprehur se ekziston mundësia e mësimit përmendësh të pyetjeve por kritikat e tyre shkojnë dhe më tej, sepse për ta disa nga pyetjet janë të komplikuara. Katalogu i pyetjeve është përgatitur nga Instituti për zhvillimin kualitativ të sistemit të arsimit në Universitetin Humboldt të Berlinit. 126.000 persona kanë marrë vitin e kaluar nënshtetësinë në Gjermani, një e treta më pak se në vitin 2000.
Kosovë, miratohet himni me titull ”Europa”
Kuvendi i Kosovës ka miratuar dje me shumicë votash himnin shtetëror të Kosovës i cili është një melodi pa tekst e kompozitorit kosovar, Mendi Menxhiçi. Kompozimi i Menxhiçit, ishte i vetmi nga 134 kompozimet konkurruese, që doli para Kuvendit dhe u miratua me shumicë votash. Himni i miratuar mori 72 vota pro, 15 kundër dhe 5 abstenime. Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se Kosova po krijon bazën e vet të plotë të funksionimit shtetëror, jo vetëm me simbolet që e identifikojnë atë si shtet, por edhe me miratimin dhe fuqizimin e Kushtetutës së saj dhe ligjet që dalin nga pakoja e Ahtisarit.
Thaçi do të përurojë Ambasadën e Kosovës në Shqipëri
Disa ditë pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, të vizitojë Shqipërinë dhe gjatë kësaj vizite të përurojë Ambasadën e Republikës së Kosovës në Shqipëri. Lajmi është bërë i ditur nga përditshmja kosovare “Koha Ditore”.
Burime të kësaj gazete kanë bërë të ditur se vizita e kryeministrit Thaçi në Shqipëri do të bëhet katër ditë pasi të hyjë në fuqi Kushtetuta e Kosovës, d.m.th. rreth datave 19-20 qershor, dhe gjatë qëndrimit atje ai do të pritet nga krerët më të lartë shtetërorë. “Kryeministri Thaçi gjatë kësaj vizite të parë zyrtare do të përurojë Ambasadën e Kosovës në Shqipëri, më 19 dhe 20 qershor”,-ka thënë një burim. Vizitën e kryeministrit kosovar në Tiranë e kanë konfirmuar edhe burime pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë nga zyrtarë të cilët nuk kanë dashur t’u përmendet emri.
Arrestohet në Serbi i kërkuari i Hagës, Stojan Zupljanin
Ish-zyrtari i policisë serbo-boshnjake, Stojan Zupljanin, i kërkuar për krime lufte nga drejtësia ndërkombëtare u ndalua dje pranë Beogradit, bënë të ditur burimet e Prokurorisë për Krime Lufte. “Stojan Zupljanin u ndalua në rrethinat e Beogradit rreth orës 12:30 dhe u transferua në Gjykatën e Beogradit për Krime Lufte”. Zupljanin, ish-zyrtar policie, u padit për rolin e tij të dyshuar për krime lufte të kryera kundër komunitetit mysliman dhe kroat gjatë kësaj lufte në konfliktin e Bosnjë-Hercegovinës.
“Ai do të merret në pyetje nga gjykatës të Gjykatës për Krime Lufte”. Zupljanin bënte pjesë në katër të kërkuarit e fundit për krime lufta nga Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë. Tre të tjerët janë ish-shefi politik i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, ish-shefi ushtarak Ratko Mlladiç si dhe Goran Hadziç, ish-lider i serbëve të Kroacisë i paditur për krime lufte.
12 Qershor 2008