Kriteret për aplikim të infermierëve në Itali
Jonida Tashi
Ministria e Punës ka përcaktuar kriteret që duhet të plotësojnë infermierët profesionistë shqiptarë për punësimin e ligjshëm në Itali. Ndërkohë që parakushti kryesor për të përfituar një punësim të tillë është njohja e titullit përkatës të studimit nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe regjistrimi i tij në Librin e Profesionit. Punësimi legal i infermierëve profesionistë shqiptarë që kërkojnë të punojnë në Itali, nuk rregullohet në suazën e kuotave vjetore, por si kategori bën pjesë në të ashtuquajturat “jashtë kuotave”, si infermierë që punësohen pranë strukturave sanitare publike dhe private, që kanë një titull studimesh të njohur nga Ministria e Shëndetësisë. Drejtoria e Politikave Migratore në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, bën të ditur, se procedura e njohjes së titullit të studimit mund të nisë nga punëdhënësi i interesuar për punësimin nga jashtë, apo edhe nga vetë i interesuari, në rastin kur ka tashmë një qëndrim të rregullt në Itali. Ndërsa miratimi për punësim kërkohet pranë Sportelit Unik për Imigrimin, përmes plotësimit të modulit dhe dërgimit telematik nga ana e punëdhënësit. Subjektet që mund të punësojnë janë: struktura sanitare (publike/private), agjenci të ofrimit të fuqisë punëtore apo shoqëri të formës së kooperativave.
Dokumentacioni
Lidhur për dokumentacionin që nevojitet për vizë, Drejtoria e Politikave Migratore sqaron se viza lëshohet përmes miratimit (“Nulla Osta”) për punë të lëshuar, sipas kërkesës së punëdhënësit. I huaji (në këtë rast shqiptari), brenda tetë ditëve nga hyrja në Itali, duhet të paraqitet tek Sporteli Unik për të nënshkruar kontratën e qëndrimit, duke paraqitur edhe dokumentet e një strehimi të përshtatshëm dhe dokumentacion që provon disponibilitetin e këtij strehimi. Për të ushtruar profesionin, infermieri i huaj duhet të kërkojë regjistrimin në kolegjin provincial të vendit të punës, apo të banimit. Ministria e Punës sqaron gjithashtu, se parakushti i domosdoshëm që do të mundësojë autorizimin e hyrjes nga jashtë dhe për ushtrimin e ligjshëm të profesionit të infermierit profesionist në Itali është njohja e titullit përkatës të studimit nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe regjistrimi pasues në Librin e Profesionit përmes verifikimit, nën kujdesin e urdhrit kompetent profesional të njohjes së gjuhës italiane dhe të dispozitave speciale, që rregullojnë ushtrimin profesional në Itali.
Nis faza e dytë e projektit për eliminimin e punës së fëmijëve
Ministria e Punës, bëri të ditur dje, një ditë para Ditës Ndërkombëtare të Luftës Kundër Punës së Fëmijëve, se për eliminimin e punësimit të fëmijëve, po vazhdon zbatimi i programit kombëtar “Mbi eliminimin e punës së fëmijëve”. Sipas saj, ky program po kontribuon në ndërtimin e politikave efektive për t’iu përgjigjur këtij fenomeni social. Drejtoria e Njësisë së Punës të Fëmijëve, sqaron se rreth 300 fëmijë në rrethet Tiranë, Korçë e Berat, të cilët punonin në rrugë, të trafikuar, apo në risk trafikimi, tashmë i janë kthyer bankave të shkollës, falë zbatimit të fazës së parë të projektit “Sistemi i monitorimit të punës së fëmijëve në Shqipëri.
12 Qershor 2008