E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria i kthen me kushte armët Leka Zogut

Familja Mbretërore ka të drejtë të mbajë koleksionin e armëve të zjarrit, por pa municion.
Erald Kapri

Nëpërmjet një vendimi të posaçëm, që ka vënë në lëvizje katër ministri, qeveria ka vendosur t’i kthejë koleksionin e armëve familjes mbretërore. Vendimi i qeverisë, që pritet të miratohet në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, detyron që familja mbretërore të marrë përsëri në pronësi mbi 100 armë të rralla që u sollën nga Johanesburgu. Pavarësisht luftës së gjatë 6-vjeçare të trashëgimtarëve të Ahmet Zogut për të marrë përsëri armët, kthimi i tyre duhet të shoqërohet me disa kushte që Leka i Parë duhet t’i plotësojë. Sipas vendimit të qeverisë, trashëgimtarët e familjes mbretërore kanë të drejtë të mbajnë në vendbanimin e tyre koleksionin e armëve të zjarrit, por pa municion. Koleksioni, përpara se të dorëzohet, do të regjistrohet dhe më pas do të mbahet gjithnjë i inventarizuar në llogari të veçantë të Policisë Shtetërore. Elementë të këtij koleksioni, të cilësuara nga komisioni i përhershëm i objekteve të trashëgimisë kulturore me vlerë, do të pajisen me pasaportë nga Qendra Kombëtare e Inventarizimit. Ndërkohë, vendimi i qeverisë detyron që në rast se armët shiten, atëherë duhet të shoqërohen me pasaportat e Qendrës Kombëtare të Inventarizimit.
Detyrimet për armët
Qeveria ka përcaktuar edhe detyrimet që duhet të respektojë familja mbretërore për koleksionin e armëve. Ruajtja e armëve duhet të bëhet në një magazinë të posaçme, e cila duhet të sigurohet me roje të armatosura me shërbim 24 orësh. Ndërkohë, ky shërbim duhet të jetë i pranishëm edhe në rast se vendoset që armët të ekspozohen. Përsa i përket ruajtjes së armëve, qeveria ka detyruar familjen mbretërore të lidhë një kontratë me një shoqëri të licencuar të ruajtjes dhe sigurisë fizike. Gjithashtu, çdo lëvizje e armëve për arsye të ndryshme jashtë mjediseve të ruajtjes së përhershme duhet të bëhet me leje të Policisë së Shtetit. Ndërsa për lëvizjen e objekteve, të licencuara si objekte të trashëgimisë kulturore, krahas lejes së policisë, duhet të merret edhe leja e ministrit të Turizmit dhe Kulturës. Qeveria ka përcaktuar edhe një pikë ku saktëson se në rastet kur cenohet rendi publik, administrimi apo koleksioni, Policia e Shtetit mund ta marrë në ruajtje këtë koleksion deri në rregullimin e situatës. Strukturat e Policisë kanë të drejtë të kontrollojnë në çdo kohë respektimin dhe zbatimin e rregullave përsa u përket kushteve të mësipërme. Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, do të ketë të drejtën e nxjerrjes së akteve ku do të përcaktojë rregullat për t’i bërë armët të paefektshme për qitje, si dhe dorëzimin e tyre.
Ministritë
Po t’i referohemi projektvendimit të qeverisë, duket se ai ka mbetur i pamiratuar prej gati një viti në qeveri. Ministria e Brendshme është ajo që ka përgatitur të gjithë bazën ligjore si dhe kushtet që familja mbretërore të marrë në pronësi dhe përdorim koleksionin e saj të armëve. Ministri Nishani ka shpjeguar në relacion të gjithë procedurën si dhe kushtet për koleksionin. Sipas udhëzimit, Ministria e Kulturës ka këmbëngulur që armët të cilësohen pasuri dhe trashëgimi kombëtare, çka imponon kushte për pretendentin e Fronit shqiptar. Ndërkohë, ministri Alibeaj ka kërkuar që të përcaktohet më mirë kontrata që familja mbretërore duhet të përcaktojë me një kompani për sigurimin fizik. Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, është shprehur dakord që trashëgimtarët e Fronit mbretëror të marrin koleksionin e çmuar.

Tentativa e vitit 2003 për kthimin e koleksionit dështoi

Qeveria e Fatos Nanos tentoi me një vendim të veçantë që t’i kthente arsenalin e armëve familjes mbretërore, por dështoi. Vendimi i qeverisë “Nano” ishte në kuadër të Ligjit për "Statusin e Trashëgimtarëve të Familjes Mbretërore", i miratuar nga Kuvendi shqiptar më 8 maj 2003. Nëpërmjet këtij ligji të propozuar nga disa deputetë legalistë dhe socialistë, familjes mbretërore u njihen disa atribute, mes të cilave edhe e drejta për të mbajtur koleksione të konsideruara pronë private, por që duhen regjistruar më parë në organet shtetërore. Ndërkohë, ligji i jepte të drejtë trashëgimtarit të Ahmet Zogut që të përdorë pronat e tij sipas ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave. Gjatë kësaj periudhe, qeveria shqiptare i ka njohur të drejtën e pronësisë familjes mbretërore mbi vilën në kodrën e Durrësit, truallin ku ishte varrosur Nëna Mbretëreshë në Parkun Kombëtar të Tiranës, i cili do të shërbejë si vend varrimi për familjen mbretërore, si dhe përfshirjen në protokollin shtetëror. Vendimi i qeverisë “Nano” shprehej se të gjithë trashëgimtarët e familjes së ish-mbretit Zog kishin të drejtën e posedimit të këtyre armëve koleksion të familjes mbretërore sipas vendimit që pritet të miratohet nga qeveria. Në këtë kategori përfshihen kryetari i zyrës së Oborrit Mbretëror si dhe anëtarët e grupit të shoqërimit, të cilët kanë të drejtën e pajisjes me leje dhe mbajtjes së armëve sipas propozimeve që bëhen nga vetë zyra e Oborrit Mbretëror. Kërkesa për pajisjen me leje për mbajtje arme paraqitet në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Tiranës dhe shoqërohet me dokumentacionin përkatës të Ligjit "Për armët", në vendimet e Këshillit të Ministrave si dhe në udhëzimet e ministrit të Rendit Publik. Kjo leje është një dokument zyrtar individual, jepet vetëm për një armë dhe u shërben personave të familjes mbretërore. Ndërkohë që nuk jepet asnjë leje kolektive për mbajtjen e armëve. Për personat e caktuar nga oborri mbretëror leja jepet vetëm për mbajtje arme brezi dhe municioni i çdo arme do të jetë deri në 20 fishekë. Për çdo armë të dhënë me leje dhe të regjistruar, zbatohen tarifat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi.

Familja Mbretërore solli 11 arka me armë nga Johanesburgu

Mbërritja në Tiranë e familjes mbretërore më 28 qershor të vitit 2002 u shoqërua më një ngjarje të veçantë. Në Rinas u bllokuan rreth 11 arka që ishin pronë e familjes mbretërore. Fillimisht askush nuk u kushtoi rëndësi deri në momentin që media publikoi se Prokuroria ka vënë në sekuestro 11 arka më armë të familjes mbretërore. Me rikthimin në atdhe për herë të tretë të Leka Zogut, familja pësoi një goditje pas lajmit se atij i ishte bllokuar një arsenal i tërë luftarak në aeroport. Leka reagoi menjëherë duke deklaruar se armët e kapura në Rinas nuk ishin gjë tjetër veçse një koleksion personal i tij, i përbërë kryesisht nga armë trofe si dhe armë që ai i kishte blerë në ankande të ndryshme në disa vende të botës. Arkat kishin përsipër vulën e Johanesburgut, kryeqytetit afrikano-jugor, ku Leka qëndroi për 20 vite me radhë, para se të kthehej në atdhe, pas 63 vitesh mërgimi. Nga inventari që iu bë arsenalit luftarak që kishte me vete Leka, rezultoi se ishin 100 armë dhe municione të ndryshme, ku binin në sy një granatë-hedhës, një kundërtank dhe një murtajë. Në koleksionin e tij Leka kishte armë të lehta, si pistoleta të modeleve të ndryshme, armë gjahu, pushkë të këmbësorisë, pushkë të precizonit të lartë të pajisura me optikë. Në këtë arsenal luftarak bënte pjesë dhe një automatik "Kallashnikov", prodhimi i parë i kësaj arme, i blerë në Vietnam. Armët e sekuestruara nga policia i kaluan prokurorisë, e cila filloi çështjen hetimore. Fillimisht u deklarua se Lekës do t'i ktheheshin vetëm disa armë të lehta, kryesisht pistoleta dhe armë gjahu, ndërsa pjesa tjetër do të konfiskohej dhe do të vendosej në një muze të veçantë, por nuk iu kthyen vetëm pak prej tyre. Në përpjekjet e tij të mëvonshme Leka Zogu nuk hoqi dorë asnjëherë nga koleksioni i tij i armëve dhe vazhdimisht kërkoi që ato t'i riktheheshin. Tashmë ky koleksion do të jetë pronë e familjes mbretërore, por armët do të kenë vetëm vlera muzeale, pasi janë nxjerrë jashtë përdorimit.

Koleksioni, trashëgimi kulturore

Projektvendimi i qeverisë e përcakton koleksionin e familjes mbretërore si trashëgimi e veçantë kulturore dhe detyron që të ruhet si e tillë. Armët me vlera historike e kulturore, armët e ftohta dhe të zjarrit, të prodhimit artizanal ose të fabrikuara përpara fillimit të Luftës së Dytë Botërore si dhe objektet personale të ish-mbretit Zog, që janë në pronësi të trashëgimtarëve të tij, konsiderohen objekte të trashëgimisë kulturore dhe do të regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore, e cila lëshon pasaportën e objektit në bazë të të dhënave të objekteve. Një vendim i tillë ka marrë edhe pëlqimin e vetë familjes mbretërore, e cila ka insistuar gjithnjë se bëhej fjalë për një koleksion historik më tepër se për një arsenal armësh. Sipas projektvendimit, trashëgimtarëve të familjes së ish-mbretit Zog I, iu rikthehet koleksioni i armëve për të cilat parashikohet një procedurë e veçantë në përfundim të së cilës armët që përbëjnë koleksionin do të cilësohen si trashëgimi kulturore. Vendimi parashikon njëkohësisht që të gjitha armët dhe municionet të nxirren jashtë pune, pra të mos jenë në gjendje të efektshme, duke u konsideruar vetëm si armë relikte. Njëkohësisht, për çdo shitje apo dhuratë, familja mbretërore duhet të marrë edhe pasaportën e Drejtorisë së Inventarizimit të këtyre objekteve.

21 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›