Reforma zgjedhore, partitë larg konsensusit
Shaban Sulçe
Partitë politike duken shumë larg gjetjes së konsensusit për realizimin e reformës zgjedhore. Ndërsa është hedhur një hap përpara për reformën në Drejtësi, mosmarrëveshjet dhe debati kanë dominuar për çështjen e reformës zgjedhore. Pozicionimi i partive të vogla kundër dy partive të mëdha, si dhe qëndrimet dhe propozimet mospërputhëse midis partive për sistemin zgjedhor apo detaje të tjera, duket se vënë në pikëpyetje realizimin e reformës zgjedhore. Megjithatë, palët vazhdojnë të shprehin gatishmëri për të bashkëpunuar dhe të japin apele për gjetjen e konsensusit.
Oketa
Zëvendëskryeministri Gazmend Oketa është bërë pjesë e debatit të reformës zgjedhore, teksa dje ka përgënjeshtruar të gjithë zërat që bënin fjalë për arritjen e një marrëveshjeje politike midis PS-së dhe PD-së në kurriz të partive të vogla.
"Nuk ka asnjë marrëveshje mes dy partive kryesore politike, PD-së dhe PS-së, për reformën zgjedhore. Përderisa është ngritur një komision i posaçëm, është ai që do të vendosë për këtë reformë, duke i përcjellë Kuvendit propozime konkrete", - tha Oketa. Përfaqësuesi i PD-së u bëri thirrje të gjitha partive politike që të gjejnë konsensusin sa më të gjerë për të realizuar reformën zgjedhore. "Edhe për reformën zgjedhore shpresoj për një konsensus sa më të gjerë, i cili do të kënaqë pjesën më të madhe të partive politike. Normalisht do të ishte shumë e vështirë të kënaqeshin interesat e të gjitha partive, por objektivi kryesor i PD-së dhe maxhorancës është arritja e një konsensusi sa më të gjerë dhe një sistem elektoral që do të pasqyronte realisht votën e qytetarëve dhe nuk do të sillte një produkt të deformuar. Një sistem i tillë do t'i jepte vendit një garanci dhe stabilitet politik, duke lehtësuar hapat drejt integrimit", - tha Oketa.
LSI
Ndërkaq, nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti, tha se LSI-ja do të dilte jashtë koalicionit opozitar nëse për reformën zgjedhore do të vendosin dy partitë e mëdha. “Nëse PS-ja ka zgjedhur në mënyrë të njëanshme që tryeza e opozitës të mos funksionojë, atëherë ne do të nisim fushatën të vetëm”, - tha nënkryetari i LSI-së.
PR
Ndërkohë, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Republikane, Arian Madhi, shprehu dje vullnetin e PR-së për të bashkëpunuar me dy partitë e mëdha, PD e PS, për realizimin e reformës zgjedhore.
"PR-ja e ka përcaktuar vullnetin dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe me partitë e mëdha, pasi janë gjetur zgjidhje për katër nga çështjet që kanë përbërë edhe vërejtjet dhe rekomandimet e OSBE- ODIHR-it", - tha Madhi. Sipas tij, Partia Republikane nuk shkel parimet dhe kërkesat e saj dhe qëndron e vendosur deri në fund për të respektuar të drejtën e konkurrimit për çdo kandidat që do të marrë pjesë në votim". Përsa i përket çështjes së vetos në komision, Madhi u shpreh se "çështja e vetos është një çështje procedurale teknike". "Vetoja nuk funksionon në Komisionin e Reformës Zgjedhore, pasi ne duhet të shkojmë dhe të përfshihemi në këtë komision, duke pasur parasysh këtu të plotësojmë në tërësi rekomandimet e OSBE-ODIHR-it", - tha ai.
Ceka
Ndërkaq, në një prononcim për gazetën “Albania”, kryetari i PAD-së, Neritan Ceka, deklaroi qëndrimet e partisë që drejton: “Ne jemi për të mos ndryshuar Kushtetutën, për një sistem proporcional të personalizuar, për unifikim të votës, për përdorimin e listave të hapura si dhe për mosrritjen e pragut. Këto janë propozimet tona, megjithatë duhet pranuar se dy partitë e mëdha janë në konflikt interesi me partitë e vogla dhe për këto arsye, konsensusi duket larg”, - tha Ceka.
21 Shkurt 2008