Gjermania: Kosova të jetë një storie e suksesit

Ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku priti në një takim anëtarin e Bundestagut Gjerman, Peter Weiss dhe ambasadorin gjerman, Ernst Reichel, me ç’rast u ka rikonfirmuar atyre përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për arritjen e standardeve evropiane për liberalizim të vizave dhe proceset tjera të integrimit evropian.
Gjatë takimit thuhet se është diskutuar për proceset e integrimit evropian nëpër të cilat po kalon Kosova, sfidat dhe mundësitë për të ardhmen.
Ministrja ka njoftuar Weiss dhe Reichel për arritjet dhe përgjegjësitë e Kosovës dhe të Ministrisë së Integrimit Evropian në procesin e Integrimit.
Ministrja Çitaku po ashtu ka potencuar ndryshimet në qasjen e Qeverisë se Kosovës ndaj agjendës Evropiane e cila vërehet me përkushtimin e të gjitha institucioneve qeveritare në aprovimin e legjislacionit dhe politikave në kuadër të ministrive përkatëse.
“Procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës duhet të hapet sa më shpejt duke marrë në konsideratë se të gjitha kushtet për fillimin e këtij procesi tashmë janë realizuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.
Ndërsa anëtari i Bundestagut Gjerman, Peter Weiss ka falënderuar ministren Çitaku për pritjen si dhe ka ofruar mbështetjen e tij dhe të Qeverisë Gjermane për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, duke vlerësuar lartë përkushtimin e saj dhe të vendit tonë në mënyrë që Kosova suksesshëm të ecën përpara drejt integrimit Evropian.
Ai tha se Gjermania dëshiron që Kosova të jetë një shembull e suksesit si shtet funksional dhe demokratik.
Nga ana e tij ambasadori gjerman, Ernst Reichel mbështeti pohimet e Weiss dhe të ministres Çitaku se Kosova është në rrugë të duhur dhe se Gjermani do të jetë pranë Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit. (KP)