E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali, Kuvendi shmang procedimin penal për Lulzim Bashën për shpifje publike

Gjykata e Lartë ka kërkuar autorizim për të proceduar Bashën për shpifjet ndaj kryetarit të PS-së, Edi Rama. Kryeparlamentarja Topalli dhe deputetët e të dyja palëve e kalojnë çështjen në heshtje

Shaban Sulçe

Deputetët dhe politikanët mund të shpifin sa herë dhe si të duan publikisht, pasi edhe në rastet kur u kërkohet procedimi penal nga Gjykata e Lartë, në ndihmë për të mbyllur çështjen i vjen më së miri Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. Precedenti është shënuar në rastin e deputetit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndaj të cilit kolegji penal i Gjykatës së Lartë ka marrë në shqyrtim padinë e ngritur kundër tij për shpifje publike të kërkuara nga kryetari i PS-së, Edi Rama. Në seancën gjyqësore të zhvilluar, Gjykata e Lartë ka vendosur që t’i kërkojë Kuvendit autorizim për të proceduar penalisht deputetin Basha për akuzën e shpifjes. Këtë kërkesë për autorizim, kolegji penal i Gjykatës së Lartë, së bashku me vendimin e ka dërguar më datë 9 janar 2008 pranë Kuvendit të Shqipërisë. Por ndërsa Kuvendi dhe kryetarja e tij Jozefina Topalli, sipas ligjeve në fuqi duhet të kishte nisur procedurat që do të mundësonin dhënien e autorizimit Gjykatës së Lartë për të proceduar penalisht deputetin e maxhorancës, Lulzim Basha, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Sipas nenit 18, pika 1 e ligjit për Kuvendin, “kërkesa dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit i paraqiten kryetarit të Kuvendit. Kryetari ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vë në dijeni Kuvendin në seancën plenare më të parë”. Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur as në Komisionin e Mandateve dhe për më tepër nuk është zhvilluar një seancë plenare në lidhje me kërkesën e depozituar në drejtim të ministrit dhe deputetit të maxhorancës, Lulëzim Basha. Dhe nëse çështja do të vazhdojë t’u shmanget procedurave të parashikuara në ligj edhe për 8 ditët e ardhshme, atëherë ajo mund të konsiderohet plotësisht e mbyllur. Kjo pasi në pikën 6 të nenit 118 të Rregullores së Kuvendit thuhet: “Në rastin kur Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose të arrestimit të një deputeti brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi”. Ky do të shënonte një precedent unikal në historinë e parlamentarizmit dhe vendimeve të marra nga Gjykata e Lartë, ndërkohë që duket mjaft qartë roli i kryeparlamentares Jozefina Topalli për të evituar procedimin penal të deputetit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Heshtja e deputetëve socialistë

Edhe pse ka një vendim të Gjykatës së Lartë në favor të kryetarit të partisë së tyre, deputetët e Partisë Socialiste gjatë kësaj periudhe nuk e kanë ngritur si shqetësim vonesën dhe fshehjen e qëllimshme që Kuvendi i Shqipërisë dhe kryeparlamentarja Topalli i ka bërë zbatimit të vendimit të kolegjit penal të Gjykatës së Lartë për procedimin penal të deputetit të PD-së Lulzim Basha. Gjatë këtyre tre muajve kjo çështje ka kaluar në heshtje si nga ana e maxhorancës, ashtu edhe nga deputetët e Partisë Socialiste. Reagimet kanë munguar edhe nga selia rozë në lidhje me këtë çështje.

Seanca gjyqësore

Seanca gjyqësore është zhvilluar nga kolegji penal i Gjykatës së Lartë i përbërë nga: Agron Lamaj (kryesues), Besnik Imeraj (anëtar), Evjeni Sinojmeri (anëtar), Fatos Lulo (anëtar) dhe Ardian Dvorani (anëtar). Në datën 27.12.2007, në praninë e palëve, ndër të cilët dhe përfaqësuesit me prokurë të deputetit Lulëzim Basha, u zhvillua seanca gjyqësore për të dëgjuar nga i dëmtuari akuzues parashtrimin e arsyeve që përligjin kërkesën e tij.
Në këtë seancë përfaqësuesi i të dëmtuarit akuzues përsëriti pretendimet e parashtruara në kërkesë, duke saktësuar se thëniet e përdorura në debatin televiziv të datës 01.02.2007 nga deputeti Lulëzim Basha, kanë qenë të qëllimshme për diskreditimin e figurës së tij dhe në këto thënie nuk ka asgjë të vërtetë. Ai pretendoi se kanë qenë të qëllimshme, pasi nga ana e zotit Basha, për vetë funksionin e lartë që mbante, ka qenë krejtësisht e mundur të verifikonte se thëniet e tij kanë qenë të rreme. Përfaqësuesit i të dëmtuarit akuzues, kërkesën e tij e shoqëroi me kasetën filmike të debatit televiziv, ku z.Basha ka bërë deklarimet e sipërcituara.

Pretendimet e Bashës

Në dokumentacionin shoqërues të vendimit të kolegjit penal të Gjykatës së Lartë thuhet se përfaqësuesi i deputetit Lulzim Basha mohoi faktin që në këtë debat televiziv, i mbrojturi prej tij të ketë pasur si qëllim denigrimin e figurës së kërkuesit, por ka qenë një reagim ndaj disa akuzave të bëra në debat nga Partia Socialiste.

Vendimi

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, bazuar në kërkesat e nenit 73/2 e 141/1 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe nenit 288/2 të Kodit të Procedurës Penale vendosi: të kërkojë nga Kuvendi i Shqipërisë autorizim për të proceduar deputetin Lulëzim Basha, për kundërvajtjen penale të shpifjes botërisht në dëm të shtetasit Edi Rama, parashikuar nga neni 120/2 i Kodit Penal. Vendimi i është dërguar institucionit të Kuvendit të Shqipërisë, më datë 09.01.2008, por gati tre muaj pas marrjes së një vendimi të tillë, Kuvendi e ka kaluar këtë çështje në heshtje dhe fshehtësi të plotë. Dhe duke falënderuar pikën 8, të nenit 118, pritet që të kalohen me qetësi 8 ditët e ardhshme, për ta mbyllur përfundimisht këtë çështje, duke legjitimuar në këtë mënyrë shpifjen publike.

Përse e denoncoi në gjykatë Edi Rama ministrin Basha

Në shqyrtimin që kolegji penal i ka bërë kërkesës së Edi Ramës thuhet se i dëmtuari akuzues, Edi Rama, ka paraqitur në Gjykatën e Lartë kërkesë për të proceduar penalisht deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, Lulzim Basha, duke e akuzuar atë për kryerjen e veprës penale të shpifjes së bërë botërisht në dëm të tij, vepër kjo që parashikohet nga neni 120/2 i Kodit Penal. Sipas kërkesës, gjatë kohës që deputeti Lulzim Basha kryente detyrën e ministrit të Transporteve, gjatë një debati televiziv të zhvilluar në një televizion kombëtar në datën 01.02.2007, ndër të tjera ka shpifur në dëm të kërkuesit Edi Rama duke u shprehur se: “Është ai zotëri për të cilin thonë shërbimet e huaja se ka 70-80 milionë euro depozita, vila në Rimini, vila në Spanjë, ka një kompani ndërtimi që ndërton nga Madridi deri në Sevilje, me president Blendi Gonxhen. Ka shërbime të huaja që llogarisin se shefi juaj politik ka 70-80 milionë euro pasuri”. Sipas kërkuesit, këto thënie të përsëritura disa herë gjatë debatit televiziv jo vetëm janë shpifje, pasi nuk janë të vërteta, por kanë pasur si qëllim denigrimin e figurës së tij në sy të opinionit publik dhe në mënyrë të veçantë të elektoratit të tij.

2 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›