E Diel, 1 Nëntor 2026

PD: Pango gaboi, por Rama e futi në kurth



Ylli Pango gaboi, por ishte Edi Rama ai që e futi në kurth. Në këtë mënyrë Partia Demokratike akuzoi dje kryetarin e PS-së, Edi Rama, se ai qëndron prapa skenarit të përgjimit dhe organizimit të kurthit ndaj z. Ylli Pango. Përmes zëdhënësit Gerti Bogdani, PD-ja i kujtoi kreut të PS-së se gjatë kohës që drejtonte Ministrinë e Kulturës, e ktheu këtë institucion në një ambient kuplara. Madje, të njëjtën gjë po bën edhe në ditët e sotme me kullën e Myslym Pezës, ku jeton prej kohësh. Sipas PD-së, është Edi Rama ai që duhet të heshtë për çështje imoraliteti, pasi ai njihet jo vetëm si “Gjethja e Fikut” po dhe si një njeri pervers. Bogdani bëri të ditur se "Kryeministri Berisha mbajti qëndrimin e merituar në kohë ndaj abuzimit të papranueshëm dhe të papajtueshëm me kodin e etikës të zyrtarit, të z. Ylli Pango dhe ky është dhe do të jetë standardi konstant i Kryeministrit dhe i Partisë Demokratike ndaj cilitdo". Duke iu drejtuar Edi Ramës, zëdhënësi i PD-së pohoi: "Vërtet Ylli Pango ka gabuar rëndë, por ti z. Rama, nuk mund të flasësh për çështje morali, sepse Tirana, Shqipëria dhe bota të njeh ty, jo vetëm si “Gjethja e Fikut”, po edhe si njeriu më pervers që mund të ekzistojë", - tha Bogdani. Ai cilësoi: "Ti z. Rama, nuk ke gojë as fytyrë të flasësh për njeri, ti, që si ministër Kulture e shndërrove atë ministri në kuplara, njëlloj siç ke shndërruar sot kullën e Myslym Pezës në një kuplara të padeklaruar". Duke e akuzuar z. Rama si sajues të skenarit ndaj z. Pango, zëdhënësi i Partisë Demokratike tha: "E drejta jote është vetëm heshtja". Kryeministri Berisha shkarkoi nga detyra të mërkurën në mbrëmje ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango. Reagimi i Kryeministrit Berisha erdhi menjëherë pas një emisioni televiziv, ku kreu i Kulturës shqiptare shfaqej duke abuzuar në detyrë. Kreu i qeverisë e shkarkoi atë vetëm pak çaste pasi u shfaq videoja në emision “Fiks Fare” dhe ku ish-ministri i Kulturës, abuzonte me detyrën e kreut të këtij institucioni. Pas këtij momenti edhe grupi parlamentar i PD-së në sallën e Kuvendit u distancua nga veprimi i z. Pango, duke i kërkuar atij dorëzimin e mandatit të deputetit. Por ende nuk dihet nëse PD-ja do ta largojë atë edhe nga grupi i saj parlamentar.

Topi: Nuk hezitova për firmën mbi shkarkimin e Pangos

Njësoj si Kryeministrit Sali Berisha, edhe kryetarit të shtetit, Bamir Topi, iu deshën vetëm pak minuta për të vendosur firmën mbi shkarkimin e Ylli Pangos nga posti i ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Po pak çaste do ti duhen z. Topi të hedhë firmën dhe mbi dekretin e emërimit të ministrit të ri, Adrian Turku. Kjo, për faktin se Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka vendosur të dekretojë atë sapo propozimi t’i mbërrijë në tryezën e tij. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, bëri dje të ditur se pas skandalit të Pangos, nuk ka hezituar aspak të vërë firmën në dekretin e shkarkimit të tij. “Presidenti mundohet t’u shmanget në mënyrë institucionale komenteve, pasi ai shprehet me dekret. Por ju siguroj se me të ardhur në tavolinë propozimi i Kryeministrit, nuk kanë kaluar shumë minuta dhe unë kam dekretuar shkarkimin, veprim i cili flet qartë”, - tha Topi. Sipas kreut të shtetit, nuk do të ketë aspak hezitim dhe për dekretimin e Ardian Turkut si ministër i ri i Turizmit menjëherë sapo në tryezë të ketë propozimin e Kryeministrit. Pas shkarkimit të bujshëm të Ylli Pangos, Bamir Topi e konsideroi Turkun kandidaturën më të përshtatshme për të zënë vendin e lënë bosh. “Në linjë zyrtare ende nuk ka arritur në Presidencë, por paraprakisht mund të them se vlerësoj personalitetin e zotit Turku dhe pa pikë mëdyshje, duke e njohur edhe nga afër edhe aktivitetin e tij edhe personalitetin e tij ai do të dekretohet në momentin më të parë”, - tha z. Topi. Këtë deklaratë Presidenti i vendit e bëri gjatë paradites së djeshme ku vizitoi Muzeun Historik Kombëtar në ekspozitën për veshjet e komunitetit rom.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›