E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania do të dërgojë 550 trupa shtesë

Nga Express më 02 gusht 2011 në ora 18:35

(E plotësuar) Në përgjigje të kërkesës së NATO-s, Gjermania do të dërgojë 550 trupa shtesë për të monitoruar paqen në Kosovë, pas eskalimit të situatës javën e kaluar në veri.

NATO dërgon trupa shtesë në Kosovë

NATO do të dërgojë trupa shtesë në Kosovë, pas përshkallëzimit të dhunës javën e kaluar.

"KFOR-i do të vazhdojë të marrë masat e nevojshme brenda mandatit të tij për një mjedis të qetë dhe të sigurt, në bashkëpunim të ngushtë me EULEX-in", u tha gazetarëve në Bruksel zëdhënësja e NATO-s, Karmen Romero.

“Mesazhi ynë është shumë i qartë: dhuna është e papranueshme. Ne e mirëpresim faktin që situata është qetësuar dhe dialogu është e vetmja zgjidhje për situatën e tanishme”, tha Romero.

KFOR kërkon trupa shtesë në Kosovë

Forca e NATO-s në Kosovë ka kërkuar dërgimin e trupave shtesë në vend, pas përshkallëzimit të dhunës javën e kaluar.

"Po kërkojmë trupa nga jashtë. Nuk mund të them numrat, por do të jetë një batalion", tha zëdhënësi i KFOR-it, Diter Vihter, për agjencinë Reuters.

Situata në veri është përkeqësuar pas aksionit të forcave speciale të Policisë së Kosovës për të vënë nën kontroll pikat kufitare 1 dhe 31.

Policia kufitare, edhe në pikën 1?

Policët kufitarë të Kosovës janë vendosur të martën edhe në pikën kufitare numër 1, në Jarinje.

Vendosja e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në pikën kufitare, e cila u dogj pesë ditë më parë nga grupet radikale serbe, është konfirmuar nga zëdhënësja e këtij institucioni, Sabrie Kamberi, raporton TCH.

Policia kosovare ka përsëritur paralajmërimin se zyrtarët serbë që hyjnë pa leje në Kosovë mund të arrestohen.

Amerikanët rigorozë, francezët lejojnë veturat me ushqime

Në pikën kufitare të Jarinjes është e ndaluar hyrja për makinat që bartin artikuj ushqimorë apo çfarëdo malli tjetër.

Ushtarët e KFOR-it në këtë pikë kanë ndaluar edhe makinat që bartin barna, ndërsa prapa janë kthyer edhe makinat e mbushura me lëndë djegëse. Shoferët kanë thënë se ushtarët amerikan të KFOR-it kanë urdhëruar ndalimin e kalimit të automjeteve me mallra. Aty është lejuar vetëm kalimi i mjeteve të transportit të udhëtarëve pa ngarkesa tjera.

Për dallim nga Jarinja, nuk kishte kontrolle kaq rigoroze në pikën në Bërnjak që kontrollohet nga ushtarët francez, maroken dhe austriak të KFOR-it. Sot në mëngjes, me vetura të vogla këndej është sjellë qumështi dhe buka nga Serbia, raporton “Tanjug”.

Në barrikadat në veri të Kosovës, nata ka qenë e qetë. Në Kosovë natën e kanë kaluar ministri i ashtuquajtur për Kosovën, Goran Bogdanovic, shefi i ekipit serb për bisedime me Kosovën, Borislav Stefanovic, dhe këshilltari i presidentit të Serbisë, Jovan Ratkovic, të cilët pritet që sot të vazhdojnë bisedimet me komandantin e KFOR-ot, Erhard Buhler.

KFOR: Në veri ka snajperë serbë

KFOR-i, nëpërmjet një komunikate të lëshuar, ka konfirmuar se në veri ka snajperë serbë dhe njerëz të armatosur me të cilët ka shprehur vendosmërinë për ballafaqim.

Misioni paqeruajtës në Kosovë ka thënë se meqë kishte rrezik nga snajperët kriminalë dhe rezistencës së armatosur nga elementet radikale të pajisura me pushkë, pistoleta ose eksploziv, një forcë e mjaftueshme e këmbësorisë së blinduar ishte në atë zonë e gatshme, sipas komunikatës, për t’iu përgjigjur në mënyrë të duhur çfarëdo sfide që do të mund të kishte ndodhur.

KFOR-i u bën thirrje të gjithë "qytetarëve paqedashës në Zubin-Potok, që t’u rezistojnë elementeve radikale dhe kriminale dhe të heqin dorë nga dy bllokadat e fundit të rrugëve, të cilat ende pengojnë komunikacionin në qytet”.

Misioni i NATO-s vlerëson se situata aktuale në veri të Kosovës është e qetë, por e tensionuar. Ushtarët e KFOR-it janë ende të vendosur në portat kryesore, ku veturat dhe autobusët lejohen që të kalojnë pas kontrollit të detajuar të identifikimit të personave dhe të sigurisë. Automjetet e rënda janë ende të ndaluara për shkak të masave të sigurisë.

“Ekziston ende kërcënim që radikalët t’i sulmojnë kalimet kufitare, siç kanë bërë me portën 1 javën e kaluar. Komandanti i KFOR-it pret që qytetarët në të gjitha pjesët e Kosovës të qëndrojnë të qetë dhe paqësorë, si dhe të mbështeten tek masat e ndërmarra nga KFOR-i dhe EULEX-i dhe tek zgjidhjet politike për situatën e tanishme”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›