Gjermania, e rezervuar ndaj kërkesës së Shqipërisë për kandidate në BE
Gjermania shprehet e rezervuar ndaj kërkesës së Shqipërisë për kandidate në BE. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane, Jens Plötner, tha se Shqipëria ka ende një rrugë shumë të gjatë përpara. "Kërkesa e parashtruar do të diskutohet fillimisht nga Komisioni dhe anëtarët e BE-së dhe do të trajtohet më tej në instancat përkatëse. Nëse ka ndonjë shans për fillimin e negociatave, atëherë ky do të shqyrtohet me shumë kujdes nga vendet anëtare të BE-së, sidomos kur është fjala për Shqipërinë", - tha Plötner për programin shqip të “Deutsche Welle”-s. Reagimin e parë Komisioni pritet ta japë mbas zgjedhjeve parlamentare që do të zhvillohen në Shqipëri në fund të qershorit. Plötner nuk bëri komente për kohën e dorëzimit të aplikimit. Disa kohë më parë, kancelarja gjermane, Angela Merkel, foli hapur për nevojën e një pushimi pesëvjeçar të procesit të zgjerimit të BE-së".
28 Prill 2009