E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leskaj: “PS-ja kërkoi që aplikimi në BE të bëhej që në shtatorin e 2008-s”

Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së e cilëson të vonuar hapin e qeverisë “Berisha”. Më 28 prill 2008, kreu i PS-së, Edi Rama, i sugjeroi qeverisë që ta bënte aplikimin në vjeshtë

Shaban Sulçe

Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, deklaron se qeveria ka vonuar kërkesën për aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në NATO. Leskaj tha se Partia Socialiste ishte e para që kërkoi që Shqipëria të depozitonte kërkesën për aplikim në muajin shtator të vitit të kaluar.
Por kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste la të kuptohej se fakti që kjo kërkesë do të depozitohet vetëm dy muaj para zgjedhjeve nga ana e qeverisë po bëhet me qëllim nga kryeministri që të përdoret si kartë për fushatën elektorale të zgjedhjeve të 28 qershorit. “Më në fund Sali Berisha ka bërë atë çka ne kemi sugjeruar e kërkuar që nga muaji shtator i vitit të kaluar. Është vonë, po më mirë vonë se kurrë. Në fakt ai bëri nëntë muaj me vonesë atë që duhet ta kishte bërë më parë pa pritur fushatën elektorale”, - tha Leskaj.

Zgjedhjet
Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste i kujtoi kryeministrit Berisha garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të cilat përbëjnë kushtin e parë që duhet të plotësojë një vend që synon të anëtarësohet në Bashkimin Europian.
Leskaj tha se qeveria duhet të ofrojë të gjitha garancitë për procesin zgjedhor të 28 qershorit, duke përfshirë edhe zgjidhjen e çështjes së kartave të identitetit. Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste tha se qeveria e re e PS-së, që do të krijohet pas fitores së 28 qershorit, do të marrë të gjitha masat për ta bërë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian. “Ndërkohë, themelore për integrimin janë standardet, prova e parë janë zgjedhjet, garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme si kushti i parë politik për një demokraci funksionale, si kriter i anëtarësimit në BE. Qeveria duhet të ofrojë të gjitha garancitë për procesin, duke filluar nga dokumenti i identifikimit, kartat e identitetit dhe gjitha elementet e tjerë. Në emër të PS-së dua të garantoj se pas fitores së 28 qershorit, qeveria e re, e cila ka në themel të programit të saj integrimin e vendit, do të marrë të gjitha masat dhe do të ketë angazhimin maksimal për ta bërë vendin tonë anëtar të BE-së, duke plotësuar ëndrrën 18-vjeçare për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa”, - tha Leskaj.

Sugjerimi i Ramës
Pikërisht një vit më parë, më 28 prill 2008, ka ardhur sugjerimi i parë i kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, në drejtim të qeverisë që aplikimi për statusin e vendit kandidat për në BE të kryej në vjeshtë të atij viti. Këtë deklaratë Rama e bëri gjatë pjesëmarrjes së tij në aktivitetin e organizuar nga European Policy Center (Qendra e Politikave Europiane), me temë: "Shqipëria përpara portave të NATO-s dhe të BE-së: mes miteve dhe realiteteve", takim në të cilin merrte pjesë edhe kreu i G99-s, Erion Veliaj. Gjatë fjalës së tij në atë takim, ku Shqipëria sapo kishte marrë ftesën për në NATO, kreu i PS-së deklaronte se duhej bërë aplikimi për në BE, brenda vjeshtës së vitit 2008. “Shqipëria duhet të përfitojë nga momenti pozitiv i marrjes së ftesës për në NATO dhe të aplikojë për statusin e vendit kandidat për anëtar edhe në Bashkimin Europian”. Rama tha se opozita do ta nxiste qeverinë shqiptare, në mënyrë që Shqipëria të aplikojë brenda vitit, për të fituar statusin e kandidatit për t’u anëtarësuar edhe në BE. “Shqipëria ka humbur shumë kohë për shkak të një politike të vjetër sherresh për interesa të politikanëve që janë fshehur para syve të popullit, i cili është marrë peng. Opozita është e vetëdijshme për rëndësinë e imazhit të Shqipërisë dhe për paraqitjen e interesave të shqiptarëve përtej interesave të ditës. Sot unë shpreha para një audience të rëndësishme bindjen time se ne duhet ta nxisim procesin e integrimit duke përshpejtuar hapat dhe nxitur qeverinë që të aplikojë për statusin e kandidatit, duke filluar nga vjeshta e ardhshme”, - do të deklaronte kreu i PS-së Edi Rama një vit më parë.

28 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›