E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Deputetët e PD-së, Kollozi dhe Patozi, presione administratës publike në Vlorë



Lëvizja Socialiste për Integrim denoncon dy deputetët e Partisë Demokratike, Astrit Patozi dhe Ardian Kollozi, për keqpërdorim të administratës publike në qytetin e Vlorës, në funksion të interesave elektorale të Partisë Demokratike në këtë qytet. Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Besian Pesha, denoncoi nga qyteti i Vlorës urdhrin e Partisë Demokratike në drejtim të të gjitha drejtorive në qarkun e Vlorës për të bërë verifikimin e votuesve dhe militantëve të PD-së si dhe për të larguar nga puna të gjithë ata punonjës që dyshohen se nuk janë mbështetës të kësaj partie. Në emër të LSI-së, Pesha kërkoi nga deputetët e Partisë Demokratike që të heqin urgjentisht dorë nga planet e tyre për spastrimet në administratë. “Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim dua të denoncoj sot edhe njëherë valën e re të spastrimeve në administratën shtetërore, spastrime të cilat janë të komanduara dhe të dirigjuara nga dyshja Patoz-Kolloz, dyshe e cila ka 4 vjet që punon ditë e natë kundër interesave të qytetarëve vlonjatë. Siç janë në dijeni shumë qytetarë vlonjatë, kohët e fundit Partia Demokratike ka urdhëruar të gjitha drejtoritë që varen prej saj në qarkun e Vlorës që të bëjnë verifikimin e votuesve dhe militantëve dhe të largojnë nga puna të gjithë ata që dyshohen si jo mbështetës të kësaj partie. Dua t’i bëj thirrje sot dyshes Patoz-Kolloz që të heqin dorë urgjentisht nga plani i tyre i shkarkimeve masive dhe i kujtoj se votuesit vlonjatë asnjëherë nuk janë dorëzuar përballë presionit të Sali Berishës dhe shërbëtorëve të tij. Gjithashtu dua të garantoj edhe njëherë të gjithë të larguarit nga administrata se me fitoren e LSI-së dhe të majtës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ata do të rikthehen në vendet e tyre të punës, ashtu siç do të punësohen edhe shumica e shqiptarëve, që sot gjenden pa punë falë planit të LSI-së për punësimin. Punësimi është sot kryefjala e LSI-së dhe punësimi do të jetë kryefjala e qeverisjes sonë të ardhshme”, - tha Pesha.

28 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›