E Diel, 1 Nëntor 2026

PSD, Çuli: “Berisha do ta përdorë aplikimin si kartë elektorale”



Nënkryetarja e Partisë Socialdemokrate, Diana Çuli, deklaron se kryeministri Berisha po përpiqet të përdorë për qëllime elektorale aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për anëtar në Bashkimin Europian. Ajo deklaron se qëndrimi i PSD-së është i qartë, qëndrim sipas të cilit kërkesa për aplikim duhej depozituar vetëm pas zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme më 28 qershor. “PSD-ja nuk ka lëvizur nga mendimi për të aplikuar pas 28 qershorit, mendim për të cilin ne jemi shprehur edhe më parë”, - tha nënkryetarja e PSD-së. Ajo theksoi se vendi më parë duhet të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sipas saj, nxitimi i kryeministrit për të aplikuar para zgjedhjeve është që ta shfrytëzojë si kartë elektorale. Ndërkohë, edhe forca tjetër politike e krahut të majtë, Partia Demokracia Sociale, ka shprehur qëndrimin e saj se qëllimi i aplikimit për vend kandidat nga ana e kryeministrit Berisha para zhvillimit të zgjedhjeve bëhet vetëm për arsye elektorale.
Deklaratat e të majtëve janë mbështetur edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë. Para pak ditësh ambasadori i Këshillit Europian, Lohan, u shpreh se aplikimi në muajin prill nuk do të ketë ndonjë rol të madh. Sipas tij, kërkesa për aplikim duhet të bëhet pas zgjedhjeve. Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, nënkryetarja e PSD-së foli edhe për çështjen çame. E pyetur nëse kryeministri Berisha duhet të diskutonte me homologun grek Karamanlis edhe për çështjen çame, nënkryetarja e PSD-së, Çuli, nënvizoi se kjo temë duhet të ishte diskutuar. Çuli tha se çështja çame nuk mund të zgjidhet në mënyrë të shpejtë. Sipas saj, për këtë çështje duhet të nisin bisedimet paraprake. ”Kjo është një çështje që do kohë për t’u zgjidhur. Por mendojmë se duhet të nisin procedurat për zgjidhjen e këtij problemi”, - u shpreh deputetja e PSD-së.
Luis Tanushi

28 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›